Lidhje

Debat mbi përdorimin e “robotëve vrasës”


Raportuesi i Posaçëm i Kombeve të Bashkuara mbi ekzekutimet pa proces gjyqësor iu bashkua thirrjeve për vendosjen e një moratoriumi mbi të ashtuquajturët “robotët vrasës” ose sistemet e automatizuara të armëve për të cilat kritikët shprehin frikën se një ditë mund të veprojnë pa kontrollin e njeriut. Kjo mund të duket si fragment nga një film fantastiko shkencor por aktivistët thonë se kërcënimi është real dhe robotët e këtij lloji tashmë ekzistojnë. Henry Ridgwell njofton nga Londra.

Muajin e kaluar jashtë parlamentit britanik u zhvillua një protestë kundër pushtimit nga robotët. Aktivistët që morën në pjesë në këtë protestë kishin për qëllim të nxirrnin në pah rreziqet e menjëhershme të robotëve që janë të aftë të vrasin.
Në mesin e tyre ishte edhe amerikania Jody Williams, e cila në vitin 1997 fitoi Çmimin Nobel për Paqen për rolin e saj në fushatën për ndalimin e minave tokësore.

“Duhet të ketë diskutime mbi teknologjinë që do ta transformojë plotësisht luftën. Dhe unë zemërohem kur vendi im dëshiron ta quajë atë një betejë pagjak”.

X-47B, një nga avionët luftarakë pa pilot më të sofistikuar në botë, tani po testohet në Shtetet e Bashkuara, një prej shumë vendeve që kanë programe të tilla.
Noel Sharkey, profesor i inteligjencës artificiale dhe robotikës, kryetar i Komisionit Ndërkombëtar për Kontrollin e Armëve Robotike, thotë se avionët e telekomanduar shënojnë hapin final të revolucionit industrial të luftës.

“Tani pyetja kryesore është se kush ka kontrollin e objektivave, kush vendos se kur duhet hapur zjarr? Ne jemi të shqetësuar vetëm me pavarësinë e funksionit të kryerjes së vrasjes. Pra, ne duhet të vendosim mbikëqyrjen e duhur njerëzore në zgjedhjen e objektivave dhe aktivizimin e robotëve”.

Zoti Sharkey thotë se aktualisht të gjithë avionët pa pilot veprojnë nën mbikqyrjen e njeriut.

Por përkrahësit argumentojnë se teknologjia e avionëve pa pilot mund të eliminojnë gabimet njerëzore në fushëbetejë.

Profesor Christopher Coker i Shkollës Ekonomike të Londrës, është autor i librit “Luftëtari Grek: Si po e ndryshon teknologjia e shekullit 21 mënyrën se si luftojmë dhe si mendojmë rreth luftës”.

“Një argument është se ata kanë mbikëqyrjen më të madhe se ç’mund të ketë patur njeriu më parë. Ata e shikojnë objektivin për orë të tëra, nganjëherë gjithë ditën, prandaj ata kanë një profil të caktuar të veprimit, dhe mbi këtë bazë vendosin nëse do të kryejnë sulmin apo jo. Por kjo nuk të jep një pasqyrë të personit me të cilin merret roboti, dhe natyrisht që ka edhe pasoja dytësore”.

Roboti është i armatosur me një mitraloz 5.5 milimetërsh, por kontrollohet nga njeriu. Organizata Human Rights Watch thotë se ka frikë se një ditë elementi njerëzor i këtyre pajisjeve mund të hiqet me lehtësi.

“Robotit autonom nuk mund t’i kërkosh llogari. Ai nuk është një agjent moral. Pra, kush do të mbajë përgjegjësi për veprimet e tij? Mund të thuash se ai që e komandon atë do të ketë përgjegjësinë. Por kjo nuk është e drejtë sepse roboti mund të ketë shumë prebleme që njeriu nuk mund t’i kontrollojë gjithmonë”.
Aktivistët thonë se ka interes të madh nga korporatat industriale në zhvillimin e të ashtuquajturëve robotë vrasës. Por Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut dëshiron të diskutojë vendosjen e një moratoriumi mbi përdorimin e tyre.


XS
SM
MD
LG