Lidhje

Energji prej duhanit


Industria e duhanit, që ka hasur vështirësi kohët e fundit, mund të presë disa ndryshime pozitive. Shkencëtarët amerikanë po përpunojnë bimën e duhanit për të prodhuar vajra që, pasi të nxirren, të mund të shërbejnë si biokarburante për aeroplanët, automjetet dhe makineri të ndryshme.

Njerëzit janë në kërkim të çfarëdo lloji alternativash ndaj burimeve tradicionale të karburantit. Dhe ndërkohë që zakoni i pirjes së duhanit pakësohet në të gjitha vendet e zhvilluara, kultivuesit e duhanit kërkojnë të përdorin prodhimet e tyre në mënyra të tjera.

Shkencëtarët e departamentit të Bimëve dhe Mikrobiologjisë së Universitetit të Kalifornisë në Berkeley po udhëheqin punën kërkimore. Nëse ata kanë sukses, kjo do të lejonte që fermerët të cilët kanë rritur duhan për breza me radhë të mund të vazhdonin traditën për një qëllim tjetër, duke përfituar nga infrastruktura e ngritur për t’i shërbyer tregjeve në rënie të duhanit, cigareve dhe purove.

Peggy Lemaux, e UC Berkeley-it, është një nga studiueset kryesore të projektit.

"Duhani ishte shumë i përshtatshëm për studimin tonë sepse nuk është diçka që njerëzit hanë. Infrastruktura për rritjen, korrjen, dhe përpunimin e tij është e gjitha gati, prandaj ne menduam se ishte një zgjedhje e shkëlqyer për të prodhuar karburante."

Ajo përmend dhe arsye të tjera, si për shembull faktin që duhani është një bimë me sasi të lartë biomase. Dhe, meqënëse nuk është një burim ushqimi, përdorimi i duhanit për prodhimin e biokarbureve nuk do të ketë ndikim tek tregjet botërore të ushqimit.

Megjithatë, asnjë nga varietetet e duhanit nuk prodhon naftë në sasi të konsiderueshme. Por shkencëtarët dinë që disa alga shndërrojnë energjinë e dritës së diellit në naftë dhe kjo bëri që të lindtte një ide.
Qëllimi i shkencëtarëve është të prodhojnë bimën e duhanit me gjene të algave, në mënyrë që ato të përdorin energjinë e rrezeve e diellit për të krijuar biokarburante të ndryshme në gjethet e tyre. Ato pastaj mund të korren, thërmohen dhe të nxirret karburanti.

Anastasios Melis, një biolog në Universitetin e Kalifornisë Berkeley, tregon rezultatin.

"Ky është ekstrakti i plotë lipidik nga gjethet e duhanit. E kemi modifikuar duhanin në mënyrë që të grumbullojë vajra në hapësirat ajrore brenda gjethes. Si pjesë e procesit, kemi nxjerrë të gjitha produktet lipide, duke përfshirë klorofilin dhe përbërës të tjerë klorofilikë, dhe kjo është ajo që shihni në provëz."
Shkencëtarët vlerësojnë se duhani i rreth 404 hektarëve tokë mund të japë më shumë se 3,78 milionë litra karburant. Por ka nevojë për shumë më tepër hulumtime para se prej bimës së duhanit të mund të prodhohen biokarbure në nivele të mjaftueshme për tregti.
Studimi financohet me anë të një programi tre-vjeçar prej 4,8 milionë dollarësh nga Departamenti amerikan i Energjisë.

XS
SM
MD
LG