Lidhje

Censura në prag të zgjedhjeve në Iran


Më pak se dy javë para se iranianët të votojnë, qasja ndaj lajmeve dhe opinioneve është bërë e vështirë për votuesit, veçanërisht për ata që shpresojnë të informohen në internet. Materiali në vazhdim i hedh një vështrim masave censuruese të Iranit mbi qarkullimin e informacionit.

Katër vjet më parë, kur u shpallën rezultatet e zgjedhjeve në Iran, mediat sociale gumëzhinin, dhe videot prej telefonave celularë po publikoheshin jashtë vendit, me Lëvizjen reformiste të Gjelbër që shfaqte pakënaqësi mbi atë që e cilësoi si një fitore të gënjeshtërt të presidentit Mahmoud Ahmadinejad .

Por, në shumë aspekte, që atëherë, aktivitetet në mediat sociale janë rralluar.
Geneive Abdo, e Qendrës Stimson me bazë në Uashington, thotë se nuk pritet ndonjë ndryshim për këtë.

"Pjesa më e madhe e Lëvizjes së Gjelbër është shtypur dhe njerëzit thjesht nuk kanë më shumë dëshirë për të protestuar."

Zonja Abdo thotë se arsyeja është shtypja e kundërshtarëve nga ana e një regjimi agresiv ndaj mesazheve që nuk i pëlqejnë.

"Ata filluan me përdorimin e teknologjive shumë të sofistikuara për filtrimin e internetit, duke përgjuar email-et, e gjëra të tilla. Kjo është mënyra se si ata vendosnin të arrestonin shumë njerëz."

Por javët e fundit, në Iran interneti është bërë kaq i ngadaltë, saqë një gazetë shkroi se "interneti është në gjendje kome".

Kjo i ka bërë shumë iranianë dhe vetë kandidatët të varen tek media shtetërore. Por edhe aty, autoritetet nuk kanë hezituar të ndërhyjnë. Mohammad Reza Arefit, një ish nënpresident që shihet si kandidati kryesor reformist, iu ndërpre paraqitja e tij në televizion. Mohsen Rezaei, ish-komandant i Rojeve Revolucionare, u ankua se disa pjesë të intervistës së tij të parë lidhur me fushatën ishin censuruar. Kandidatë të tjerë kanë gjetur mënyra alternative për t’u shprehur në internet, duke përfshirë kryenegociatorin e çështjeve bërthamore Said Xhalili, i cili ka një faqe të vetën në Twitter.

Shqetësimi ndërkombëtar është aq i madh, saqë Shtetet e Bashkuara po zbusin sanksionet ndaj Iranit për të lejuar që kompanitë amerikane të mund të shesin atje telefona celularë – si iPhone i Apple-it – programe kompjuterike apo teknologji të tjera, me shpresën për të ndihmuar iranianët të shmangin efektet e censurës.
XS
SM
MD
LG