Lidhje

Erdogan takohet me protestuesit


Kryeministri turk Rexhep Tajip Erdogan po takohet me një pjesë të vogël të protestuesve anti-qeveritarë, pas një nate përleshjesh të dhunshme në qendër të Stambollit.

Por, ndërsa një delegacion i përbërë nga 11 studentë, akademikë dhe artistë u takuan me zotin Erdogan, disa protestues në Parkun Gezi të Stambollit dhe disa grupe të shoqërisë civile i refuzuan bisedimet, duke thënë se pjesëmarrësit ishin zgjedhur me kujdes nga qeveria.

Pas një nate përleshjesh, policia turke arriti të largonte sot protestuesit nga sheshi qendror në Stamboll.

Operacioni policor vjen pas gati dy javë demonstratash në Sheshin Taksim, të cilat filluan kur protestuesit vendosën të mos lejonin që autoritetet të shkatërronin parkun Gezi, pranë sheshit, ku ishte planifikuar ndërtimi i një ndërtese të re.

Protestuesit kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Recep Tayyip Erdogan, duke e akuzuar se po imponon pikëpamjet e tij konservatore islamiste ndaj një vendi laik.

Dje, policia e ndërhyrjes së shpejtë përdori gaz lotsjellës, granada zhurmuese dhe pompa uji ndaj protestuesve në Sheshin Taksim, në përleshje që zgjatën deri në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Sot trafiku u rikthye në Sheshin Taksim ku rrugët u mbushën me taksi, kamionë dhe këmbësorë.

Gjatë ditës së sotme, zyrtarët do të mbajnë bisedime që synojnë përfundimin e protestave më të mëdha antiqeveritare në dekada.

Pavarësisht nga dëmi, protestuesit mbetën sfidues.

“Nuk duam të tërhiqemi. Kërkesat tona janë civile dhe ne u bashkuam pa ndonjë ndihmë politike nga ndonjë parti. Kjo është qëndresë civile dhe ne nuk do të dorëzohemi derisa kërkesat tona të plotësohen”.

Dje para parlamentit, kryeministri Recep Tayyip Erdogan tha se demonstruesit kanë ndërmarrë një përpjekje të qëllimshme për të dëmtuar imazhin dhe ekonominë e Turqisë. Zoti Erdogan thotë se protestuesit po përpiqen të frenojnë përparimin e Turqisë dhe thotë se nuk do të toleronte ata demonstrues që kryenin akte dhune.

“Ka filluar një projekt sistematik për të dëmtuar imazhin e Turqisë. Ai po kryhet me bashkëpunimin e forcave të brendshme dhe të jashtme. Pozicioni ndërkombëtar i Turqisë është vënë në shënjestër gjatë këtij procesi”.

Kryeministri Erdogan pritet të takohet sot me një grup protestuesish lidhur me zhvillimin e Parkut Gezi, që shkaktoi protestat më të mëdha në vend prej dekadash.

Ndërkohë Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle tha se pamjet e protestuesve në Turqi që ndiqeshin nga policia, ishin tronditëse dhe se qeveria turke po i përcjell mesazhin e gabuar vendit dhe Evropës me reagimin ndaj protestave.
XS
SM
MD
LG