Lidhje

Fushata për zgjedhjet presidenciale në Iran


Kandidatët për president në Iran kanë shumë ngjashmëri, të gjithë janë burra, kanë lidhje me udhëheqësin suprem të Iranit dhe në ndryshim nga presidenti i tanishëm janë të gjithë teknokratë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Jeff Seldin i hedh një vështrim favoritëve në mesin e shtatë kandidatëve dhe përpjekjeve të tyre për ta dalluar veten nga të tjerët.

Sipas analistëve kandidati më i preferuar është Saeed Jalili.
Kryenegociatori i Iranit për çështjet bërthamore ka një reputacion për qëndrimet e tij të ashpra ndaj perëndimit.

“Ne duhet ta zgjerojmë ndikimin e Islamit në botë dhe t’i rezistojmë fuqive hegjemoniste”.

Zoti Jalili është cilësuar shpesh si një njeri me sjellje të buta. Ai kryeson fushën e kandidatëve konservatorë, disa prej të cilëve ishin të zëmëruar në debatin e parë me pyetje-përgjigje.

Profesori 61-vjeçar Mohammad Reza Aref i cili konsiderohet si kandidat reformist, refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve. Ai ndjehet më i rehatshëm kur u flet studentëve.

Ish-ambasadori amerikan Dennis Ross thotë se asnjë nga kandidatët nuk është shumë i dallueshëm dhe kjo është bërë me qëllim.

“Është shumë e qartë se udhëheqësi suprem dëshiron të ketë një kandidat që nuk ka ndikim të madh, dikë që nuk do ta sfidonte atë. Ai do të donte një president i cili në thelb mund të administrojë politikat e tij dhe ta mbaj atë larg konflikteve”.

Ky është një kontrast i madh me presidentin Mahmoud Ahmadinejad, i cili e ka kundërshtuar udhëheqësin suprem Ayatollah Ali Khamenei dhe retorika e tij bombastike anti-Perëndimore ka zbrazur sallat e OKB-së.

Edhe fushata është e kontrolluar dhe e qetë. Televizioni shtetëror zakonisht tregon kandidatët duke ecur përmes grupeve të vogla të mbështetësve entuziastë dhe duke ofruar garanci të paqarta në lidhje me vështirësitë ekonomike të Iranit.

“Ne nuk do të lejojmë që taksat të kalojnë kufirin kur mund të bëhen pengesë për biznesin”.

Kjo është më ndryshe se fushata e zgjedhjeve të vitit 2009, kur mbështetësit e kandidatit reformist Mir Hosein Musavi, i cili tani është në arrest shtëpiak, mbushnin stadiumet dhe vërshonin në rrugë në mes të natës për të treguar mbështetjen për kandidatin e tyre.

Analisti Dennis Ross thotë se edhe ky është një plan i hartuar nga Khamenei, i cili po kontrollon pakënaqësitë zgjedhore.

“Mendoj se ai nuk do që të ketë nivel të lartë aktivizmi. Ai nuk dëshiron një rigjallërim të interesit”.

Duke marrë parasysh se kanë mbetur vetëm disa ditë para zgjedhjeve, një grup kandidatësh, të cilët kanë munguar nga skena politike për vite me rradhë, po përpiqen t’u japin iranianëve pak shenja se ata mund të presin ndryshime të mëdha.
XS
SM
MD
LG