Lidhje

Meksikë, kapet kreu i kartelit famëkeq Zeta


Qeveria meksikane thotë se ka kapur kreun e kartelit famëkeq të drogës, Zetas. Miguel Angel Trevino u kap nga marinsat meksikanë, ndërsa ishte duke ngarë një kamion pranë qytetit kufitar Nuevo Laredo.

Trevino, i njohur me nofkën “Z-40”, akuzohet për vrasje, rrëmbime dhe torturime. Karteli Zetas njihet për një numër krimesh të shëmtuara në luftën mes karteleve meksikane të drogës, përfshirë masakrimin e 72 emigrantëve në veri të Meksikës në vitin 2010. Shtetet e Bashkuara kishin ofruar një shpërblim prej 5 milionë dollarësh për informacione që do të çonin në kapjen e Trevinos.

Miguel Angel Trevino u bë kreu i kartelit Zetas vitin e kaluar, pasi paraardhësi i tij, Heriberto Lazcano u vra gjatë një shkëmbimi zjarri me marinsat. Në Meksikë janë vrarë rreth 70 mijë persona që nga viti 2006 kur në pushtet erdhi ish-presidenti Felipe Kalderon, i cili filloi një ofensivë ushtarake kundër karteleve të drogës.
XS
SM
MD
LG