Lidhje

Sekretari Kerry në kampin sirian të refugjatëve në Jordani


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry vizitoi një kamp refugjatësh sirianë në Jordaninë fqinje, ku të zhvendosurit prej konfliktit të më shumë se dy vjetëve shprehën zemërim dhe zhgënjim ndaj përgjigjes së komunitetit ndërkombëtar.

Sekretari Kerry bëri një turne me helikopter sot në kampin Zaatari dhe u takua për gati 40 minuta me gjashtë nga 115 mijë refugjatët e kampit.

Një grua siriane tha se shpreson që zoti Kerry nuk do të kthehet në Shtetet e Bashkuara para se të gjejë një zgjidhje të krizës, duke sugjeruar se të paktën duhet të ketë një zonë për ndalimin e fluturimeve ose një embargo ndaj Sirisë.

Zoti Kerry tha se po shqyrtohen një numër mundësish dhe se disa anëtarë të të ashtuquajturit Miqtë e Sirisë po u japin armë rebelëve sirianë.

Shtetet e Bashkuara ende po kërkojnë një zgjidhje politike të krizës siriane. Zoti Kerry u takua me zyrtarë të Lidhjes Arabe dje në Aman, duke theksuar nevojën e një rruge që do të premtonte një të ardhme për popullin e Sirisë pa dhunë si dhe një të ardhme me një qeveri të zgjedhur prej tyre.
XS
SM
MD
LG