Lidhje

Siria do të propozojë armëpushim


Qeveria e Sirisë thotë se do të bëjë thirrje për një armëpushim në konferencën e paqes të propozuar nga Kombet e Bashkuara që synon t’i jap fund luftës civile.

Zëvendës kryeministri Qadri Jamil i tha gazetës The Guardian se konflikti ka arritur një ngërç, duke shtuar se as qeveria dhe as rebelët nuk janë të fuqishëm sa duhet për të mposhtur njëri-tjetrin.

Ai i tha gazetës britanike se qeveria siriane do të propozojë gjithashtu “fundin e një ndërhyrjeje nga jashtë” dhe fillimin e “një procesi paqësor politik” në konferencën e Gjenevës.

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia janë përpjekur prej disa muajsh të sjellin së bashku anëtarët e qeverisë siriane dhe forcat rebele në të ashtuquajturat bisedime Gjeneva Dy.

Një raund bisedimesh vitin e kaluar dështoi, pa përfaqësim nga asnjëra palë. Opozita e ndarë siriane i ka bojkotuar bisedime derisa presidenti Bashar al-Assad të japë dorëheqjen.

Përpjekjet ndërkombëtare për të gjetur një zgjidhje politike të konfliktit janë rigjallëruar pas marrëveshjes SHBA-Rusi e cila kërkon që zoti Assad të dorëzojë armët kimike.
XS
SM
MD
LG