Lidhje

Izraeli paralajmëron rreth Iranit


Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu thotë se Irani po vazhdon një përpjekje të madhe, të ethshme, për të siguruar armë bërthamore dhe se vendi i tij është gati të qëndrojë i vetëm për t’u mbrojtur kundër ambicieve bërthamore të Teheranit.

Zoti Netanyahu i bëri komentet në një fjalim sot në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, kur ai shprehu shqetësimet e tij në lidhje me programin e diskutueshëm bërthamor të Iranit.

Udhëheqësi izraelit tha se mënyra e vetme për të ndaluar Iranin në mënyrë paqësore nga zhvillimi i armëve bërthamore është për të kombinuar sanksione të forta me një kërcënim të besueshëm ushtarak.

Ai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mos heqin dorë nga presioni mbi Iranin dhe e quajti presidentin e ri të vendit, Hassan Rouhani, “një ujk i veshur si dele.” Ai tha se do të donte ta besonte presidentin e ri, por ai do të përqëndrohet për të parë veprimet e Iranit.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e nisi vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara në Shtëpinë e Bardhë, ku presidenti Barack Obama e siguroi atë se Shtetet e Bashkuara janë të qarta në lidhje me bisedimet bërthamore me Iranin.

“E kam thënë edhe më parë, dhe po e përsëris se ne do t’i konsiderojmë të gjitha mundësitë, duke përfshirë opsionet ushtarake.”

Udhëheqësi izraelit kërkoi një qëndrim më të ashpër.

“Izraeli është i bindur se nëse Irani vazhdon të përparojë me programin bërthamor gjatë negociatave, sanksionet duhet të forcohen.”

Qëndrimi i ashpër i zotit Netanyahu, dhe besimi se Irani po kërkon në mënyrë aktive armë bërthamore, nuk është diçka e re. Vitin e kaluar, ai përdori fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për të përcaktuar një “vijë të kuqe” rreth aktiviteteve bërthamore të Iranit.

Dhe Izraeli përmend arrestimin e fundit të një spiuni të dyshuar iranian si provë se Irani ende nuk mund të besohet.

Zoti Joe Cirincione, me organizatën jo-fitimprurëse Ploughshares Fund shpjegon:

“Ata nuk e besojnë se një marrëveshje me Iranin është e mundur. Ata mendojnë se zgjidhja e vetme është ajo ushtarake. Kështu që, kryeministri Netanyahu ka për qëllim ndalimin e një marrëveshjeje të negociuar.”

Por zoti Michael O’Hanlon nga Instituti Brookings paralajmëron se qëndrimi i zotit Netanyahu përmban rreziqe:

“Nëse ai nuk dëshiron që ne të përpiqemi të arrijmë një kompromis, kjo nuk është e arsyeshme.”

Irani duket se po i kushton vëmendje lëvizjeve të Izraelit. Analistët theksojnë se presidenti Hassan Rouhani ka qenë i kujdesshëm për të thënë në intervistat e fundit se të paktën një reaktor bërthamor nuk do të jetë funksional aq shpejt sa ata mendojnë.

Zoti David Albright , nga Instituti për Shkencë dhe Siguri Ndërkombëtare shpjegon:

“Në se vihet në funksionim, Izraeli do të kundërpërgjigjej pothuajse menejëherë. Ata kanë bombarduar dy reaktorë tashmë në Lindjen e Mesme, një në Irak dhe një në Siri. Ndoshta do ta bombardonin edhe këtë.”

Jo të gjithë ligjvënësit izraelitë janë të vendosur për një zgjidhje ushtarake. Ruth Calderon, në një konferencë në Uashington, shprehu shpresë, por ishte e kujdesshme:

“Çdo gjë që ne mund ta zgjidhim me bisedime, është më mirë se zgjidhja me luftë, por ju duhet të pranoni se kjo është shumë e rrezikshme.”

Këshilltarët e zotit Netanyahu thonë se fjalimi i tij në Kombet e Bashkuara ka për qëllim të prezantojë faktet për atë që Izraeli beson se është qëllimi i vërtetë prapa qëndrimit të ri të Iranit - një përpjekje për të fituar kohë për programin e tij të armëve.


XS
SM
MD
LG