Lidhje

Evropianët vazhdojnë të kërkojnë shpjegime për përgjimet


Zyrtarë evropianë ndodhen këtu në Uashington për të kërkuar më shumë informacion në lidhje me akuzat se Shtetet e Bashkuara kanë përgjuar evropianët dhe udhëheqësit e tyre. Drejtori i Shërbimit Kombëtar të Zbulimit amerikan dhe zyrtarë të tjerë të sigurisë u takuan me këshilltarin e sigurisë kombëtare dhe koordinatorin e zbulimit të Gjermanisë për të diskutuar rreth këtyre akuzave.

Pretendimet se Agjencia e Sigurisë Kombëtare ka përgjuar telefonin celular të Kancelares gjermane Angela Merkel bënë që ekipi i saj i zbulimit të vizitonte dje Shtëpinë e Bardhë në kërkim të sqarimeve. Gazetarët nuk ishin të lejuar në takim.
Zyrtarët amerikanë thonë se NSA-ja nuk është duke mbledhur informacione mbi zonjën Merkel dhe se nuk do ta bëjë këtë në të ardhmen. Por Uashingtoni nuk ka thënë se nëse agjencia e zbulimit e ka përgjuar Kancelaren në të kaluarën ose jo.

Drejtori i Shërbimit Kombëtar të Zbulimit, James Clapper, dhe zyrtarë të tjerë të sigurisë u takuan me këshilltarin e sigurisë kombëtare të Gjermanisë dhe koordinatorin e zbulimit për të diskutuar çështjen.
Anëtarë të parlamentit Evropian gjithashtu ndodhen në Uashington duke kërkuar përgjigje. Britaniku Claude Moraes tha se ata duan të dinë nëse NSA-ja po spiunon mbi evropianët dhe nëse agjencitë evropiane janë duke ndihmuar në këtë proces.

"Spiunimi ka ekzistuar gjithmonë. Por ne e kemi thënë në mënyrë të vazhdueshme përgjimi i miqve nuk është diçka lehtësisht e tolerueshme në qoftë se nuk ka një qëllim të qartë."

Drejtori i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (NSA), gjenerali Keith Alexander, e mbrojti agjencinë gjatë dëshmisë së tij në Kongres të martën. Ai i mohoi akuzat se NSA-ja kishte mbledhur të dhëna të tabulateve telefonike të miliona qytetarëve evropianë, siç thuhet në informacionet e nxjerra nga ish kontraktuesi i NSA-së Edward Snowden.

"Ato fotografi të ekranit të kompjuterit që tregojnë, ose të paktën që bëjnë që njerëzit të besojnë se ne, pra NSA-ja, apo Shtetet e Bashkuara, mbledhin ato informacione janë të rreme. Nuk është e vërtetë që ishin mbledhur mbi qytetarët evropianë."

Zoti Alexander tha se Agjencia e tij ka marrë informacione nga telefonata të veçanta të disa evropianëve, nëpërmjet aleatëve të NATO-s.

"Burimet e informacioneve përfshijnë të dhëna të mbledhura ligjërisht nga NSA-ja nën jurisdiksionin e saj, si dhe të dhëna të marra nga partnerët e huaj. Dua të qartësoj që nuk bëhet fjalë për informacione të mbledhura mbi qytetarët evropianë."

Për shkak të akuzave, disa zyrtarë evropianë duan që të pezullojnë marrëveshjen (Safe Harbor), për ndarjen e të dhënave, e cila ndihmon më shumë se 4 mijë e 200 kompani amerikane që zhvillojnë aktivitet në Evropë. Ndërkohë, ka akuza të tjera se NSA-ja ka hyrë në lidhjet kryesore të qendrave me të dhënat e motorëve të kërkimit në internet Yahoo dhe Google në mbarë botën. Kjo sipas njoftimeve të gazetës Washington Post bazuar mbi dokumente të marra nga Edward Snowden.
Kombet e Bashkuara thonë se kanë marrë garanci se rrjetet e komunikimeve të OKB-së "nuk janë dhe nuk do të monitorohen" nga agjencitë amerikane të zbulimit. Një zëdhënës i OKB-së nuk pranoi të komentonte nëse komunikimet e organizatës ndërkombëtare ishin përgjuar në të kaluarën.
XS
SM
MD
LG