Lidhje

Kerry përpiqet të lehtësojë shqetësimet evropiane


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry thotë se “pyetjet legjitime” për përpjekjet amerikane të përgjimit nuk duhet të ndikojnë tek bisedimet e ardhshme të tregëtisë mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Zoti Kerry tha sot gjatë një vizite në Poloni se Shtetet e Bashkuara po i rishikojnë aktivitetet e përgjimit dhe do të punojnë veçanërisht ngushtë me aleatët për t’u siguruar që hapat e mëtejshëm të ndërmerren “me mirëkuptim dhe marrëveshje reciproke”.

“Ne duam ta dëgjojmë mendimin e aleatëve dhe duam që të diskutojmë për këtë çështje. Presidenti Obama e mirëpret mundësinë për të bashkëpunuar me aleatët dhe nëse gjejmë zgjidhjen e drejtë, që sigurisht do ta gjejmë, ne jo vetëm që do t’i zbusim shqetësimet, por edhe do të forcojmë marrëdhëniet tona të zbulimit dhe si rezultat të jemi më të mbrojtur, duke ruajtur gjithashtu jetën private të qytetarëve”.

Zoti Kerry tha se marrëveshja e mundshme e tregëtisë ka të bëjë me punësimin dhe konkurrencën globale dhe mund të rrisë standardet e mënyrës sesi bota zhvillon biznes.

Por negociatat vijnë në një kohë kur shumë qeveri evropiane u kanë kërkuar Shteteve të Bashkuara shpjegime për njoftimet se Agjencia e Sigurisë Kombëtare kishte monitoruar telefonatat e kancelares gjermane Angela Merkel dhe ato të aleatëve të tjerë.

Zoti Kerry u takua me Ministrin e Jashtëm Polak Radoslav Sikorski për bisedime shumëplanëshe që përfshinin bashkëpunimin ekonomik, lidhjet në fushën e mbrojtjes, çështje të mjedisit dhe planet për dislokimin e një sistemi për mbrojtjen nga raketat.

Sekretari i Shtetit Kerry, e vazhdon turneun e tij në Evropë dhe Lindjen e Mesme me ndalesa në Izrael dhe Bregun Perëndimor, ku do të takohet me zyrtarë izraelitë dhe palestinezë, në kuadrin e bisedimeve të paqes. Ai do të vizitojë gjithashtu edhe Jordaninë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Algjerinë dhe Marokun.

XS
SM
MD
LG