Lidhje

Shqipëri: Policia gjen një sasi eksplozivi tek një shtyllë tensioni


Në Shqipëri, policia njoftoi sot pasdite mbi vendosjen e një sasie lënde eksplozive në këmbën e një shtylle të tensionit të lartë, të linjës së interkonjeksionit Tiranë-Podgoricë. Policia bën të ditur se ngjarja ka ndodhur në natën e ndërrimit të moteve, në vendin e quajtur Ndërlalaj, në Milot të rrethit të Kurbinit, por nuk bën të ditura arsyet e dhënies me vonesë të njoftimit. Shtylla e linjës Tiranë-Podgoricë ndodhet në një faqe mali, në afërsi të rrugës së vjetër Milot-Burrel, pranë urës me harqe.

Sipas policisë,e cila ka shkuar në vendin e ngjarjes, nga shpërthimi është këputur njëra këmbë e shtyllës në lartesinë 10 metra nga toka. Ndërkohë, në këmbën tjetër të kësaj shtylle, janë gjetur të pashpërthyera 16 kallëpe tritoli me peshë prej 6.4 kilogramë, të lidhura me një kapsollë detonatore.

Gjithashtu, policia bën të ditur se në njërën nga këmbët e shtyllës janë gjetur edhe dy kartona me mbishkrimin NAFTA dhe TAKSAT. Sipas njoftimit zyrtar të policisë së shtetit ky është akti i parë terrorist në Republikën e Shqipërisë, që shoqërohet me mesazhe të qarta të lëna në vendngjarje nga autorët.
XS
SM
MD
LG