Lidhje

Shqipëria shënon arritje pozitive


Gazeta prestigjioze The Wall Street Journal dhe Fondacioni Heritage publikuan sot raportin mbi Indeksin për Liritë Ekonomike në botë. Shqipëria renditet e 25 mes 43 vendeve të rajonit të Evropës ndërsa në klasifikimin global ajo është mbi mesataren botërore, në vendin e 54. Një pikë e dobët për liritë ekonomike në vend vazhdon të mbetet lufta kundër korrupsionit dhe e drejta e pronës.

Shqipëria ka 66,9 pikë në klasifikimin me 100 pikë të Indeksit për Lirinë Ekonomike për vitin 2014 duke u radhitur e 54-ta në botë.
Shqipëria renditet e 25 në mesin e 43 vendeve të rajonit të Evropës ndërsa në klasifikimin global ajo është mbi mesataren botërore.

Në historinë 20 vjeçare të këtij Indeksi , Shqipëria ka përparuar në klasifikimin e lirive ekonomike me rreth 17 pikë, duke u renditur mes 20 vendeve me përmirësimet më të mëdha.


Me rritjet e shënuara në nëntë nga 10 kategoritë e lirive ekonomike, Shqipëria është ngjitur gradualisht në kategorinë "mesatarisht e lirë” duke çaluar ende në kategorinë e të drejtës së pronës.

Sipas raportit, reforma të rëndësishme strukturore kanë përfshirë liberalizimin e tregtisë, privatizimin , zbatimin e taksës së sheshtë konkurruese, si dhe modernizimin e mjedisit rregullator .

Megjithatë, në aspektin e zbatimit të ligjit, raporti thekson se gjyqësori mbetet subjekt i ndërhyrjeve politike dhe se reforma më të thella institucionale për të çrrënjosur korrupsionin e vazhdueshëm dhe rritjen e pavarësisë së gjyqësorit janë kritike për të siguruar një liri më të madhe ekonomike në Shqipëri.

Mjedisi rregullator i dobët, me rregulla të zbehta të prokurimit, një kulturë e mosndëshkimit dhe ndërhyrjet politike, e bëjnë të vështirë për gjyqësorin të merret me korrupsionin në nivele të larta dhe që është rrënjosur thellë në Shqipëri, një vend që po ashtu shërben si tranzit për trafikimin e qenieve njerëzore dhe armëve të paligjshme dhe narkotikëve.

Mbrojtja e të drejtave të intelektuale është e dobët dhe Shqipërisë, thotë raporti, ende i mungon një sistem i qartë i të drejtave pronësore, veçanërisht për pronësinë e tokës.

Së bashku me mbajtjen e inflacionit në nivele të ulta, është arritur gjithashtu një stabilitet më i madh monetar.

Rritja e defiçitit fiskal gjatë viteve të fundit, ka rritur borxhin publik përtej kufirit ligjor të vendosur në vitin 2008. Shpenzimet qeveritare, thotë raporti, qëndrojnë në nivelin e 28.5 për qind të PBB-së. Ngadalësimi i ekonomisë së vendit ka sjellë presione të brendshme për financat publike, duke e shtyrë borxhin publik në 61 për qind të PBB-së.

Niveli mesatar i tarifave në Shqipëri është përmirësuar në mënyrë të konsiderueshme,thotë raporti, nga 5.1 për qind në 1.3 për qind.Vendi zyrtarisht mirëpret investimet e huaja, por burokracia dhe mbrojtja e pamjaftueshme e të drejtës së pronës dekurajon investimet. Sistemi financiar mbetet relativisht i zhvilluar mirë dhe i qëndrueshëm megjithë mjedisin e jashtëm sfidues. Sektori bankar është i mbikëqyrur mirë, por përqindja e kredive problematike ka qenë në rritje.
Klasifikimi i përgjithshëm i Shqipërisë është rritur me 1.7 pikë nga një vit më parë, me përmirësime të dukshme në lirinë e investimeve dhe atë të tregëtisë.
(shifrat në raport bazohen në rezultatet vitin e kaluar)
XS
SM
MD
LG