Lidhje

SHBA, 300 mijë banorë pa ujë të pishëm


Për të pestën ditë radhazi, 300 mijë banorë të qyetit Çarlston, të Virxhinias Perëndimore këtu në Shtetet e Bashkuara, kanë mbetur pa ujë të pishëm, pasi Lumi Elk është ndotur nga një rrjedhje kimike. Shkollat dhe bizneset janë ende të mbyllura si rezultat i rrjedhjes që i ka dhënë ngjyrë dhe aromë të pakëndshme ujit të lumit.

Qindra mijëra banorë të Çarlstonit, kryeqytetit të Virxhinias Perëndimore dhe qytetit më të populluar të shtetit, kanë mbetur pa ujë të pishëm pasi një kimikat toksik që përdorej për përpunimin e qymyrgurit rodhi në Lumin Elk.

Zyrtarët nuk mund të përcaktojnë një afat se kur mund të pastrohet uji, por guvernatori i Virxhinias Perëndimore, Earl Ray Tomblin, tha të djelën se përpjekjet për pastrimin e ujit kanë qënë pozitive dhe fundi i krizës po aftohet.

"Ekipi ynë po punon intensivisht për testimin e ujit të zonës së prekur. Shifrat duken të mira dhe ashtu si mbrëmë, ato janë shumë inkurajuese. Unë besoj se ne jemi në një pikë që mund të themi se po shikojmë dritë në fund të tunelit. U kërkoj të gjithë banorëve të Virxhinias Perëndimore të kenë durim, ndërkohë që ne po punojmë për të rifilluar shërbimet në zonat e prekura”.

Zyrtarët e shtetit i kanë paralajmëruar banorët ta përdorin ujin e çesmës vetëm për shkarkuesit e banjave.

"Ne kemi një foshnje dhe po përpiqemi të gjejmë ujë për të përgatitur qumështin e tij. Për ne nuk ka rëndësi, jemi duke u përpjekur të sigurojmë atë që i duhet atij”.

Freedom Industries është kompania përgjegjëse për rrjedhjen. 28 mijë litra agjent kimik që përdorej për përpunimin e qymurgurit u derdh në lumë më 9 janar. Kimikati toksik shkoi pastaj nga Freedom Industries në një impiant të pastrimit të ujit në afërsi.

Kent Carper është president i Komisionit të Qarkut Kanawha County.

''Gjendja e impiantit nuk ishte e mirë dhe rreziku dihej nga pronari i mëparshëm, po ashtu edhe nga pronari i tanishëm”.

"Është një lloj ere embëlsire, si era e karameleve”

Uji i pishëm në zonë tani ka ngjyrë blu në të gjelbër dhe mban erë si ëmbëlsirë.

Shkollat dhe shumë biznese janë të mbyllura, ndërsa Agjencia Federale e Menazhimit të Emergjencave dhe Garda e Virxhinias Perëndimore kanë shpërndarë në zonë rreth një milion litra ujë me shishe.
XS
SM
MD
LG