Lidhje

Dorëhiqet rektori i Universitetit të Prishtinës


Rektori i UP-së, Ibrahim Gashi dha dorëheqje pas protestave disaditëshe që u përshkuan me incidente të dhunshme

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Gashi, dha dorëheqje nga ky post, pas disa ditë protestash të disa organizatave të studentëve dhe të shoqërisë civile që kërkonin largimin e tij.

Ai e publikoi vendimin e tij në një intervistë për Radiotelevizionin e Kosovës duke vlerësuar se synon të krijojë hapësirë për zgjidhjen e situatës së krijuar dhe për të shmangur përshkallëzimin e situatës.

Të premten policia e Kosovës përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë grupe studentësh dhe pjesëtarësh të organizatave joqeveritare, që protestuan në hyrje të rektoratit të Universitetit Publik të Prishtinës, duke kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të rektorit të këtij Universiteti, Ibrahim Gashi.

Protestuesit hodhën gjësende të forta mbi pjesëtarët e policisë që penguan përpjekjet për të hyrë brenda oborrit të godinës së rektoratit. Policia tha se janë arrestuar 33 protestues gjatë përleshjeve ndërsa 29 policë kanës pasuar lëndime. Lëndime kanë pësuar edhe një numër i konsiderueshëm i protestuesve.

Që nga java e kaluar grupe studentësh janë hedhur në protesta duke kërkuar hetimin e siç thuhet keqpërdorimeve në këtë universitet, vërtetimin e gradave shkencore të mësimdhënësve dhe largimin e ndikimeve politike në këtë institucion.

Reagimet u shtuan pas raportimeve në mediet lokale se një pjesë e punimeve shkencore që rektorit Gashi i janë njohur si mbështetje për gradimin e tij akademik, janë të botuara në një revistë të falsifikuar në Indi.

Çështja ishte bërë temë debatesh edhe Parlamentin e Kosovës.
XS
SM
MD
LG