Lidhje

BE do të rishikojë marrëdhëniet me Zvicrën


Bashkimi Evropian thotë se do të rishikojë marrëdhëniet me Zvicrën pasi votuesit në këtë vend alpin miratuan të dielën me rezultat të ngushtë një ligj që frenon imigracionin e qytetarëve të Bashkimit Evropian. Kundërshtarët e referendumit argumentojnë se masat që frenojnë imigracionin do të dëmtojnë ekonominë.

Televizioni zviceran njofton se 50.3 për qind e votuesve e mbështetën nismën "Ndal Imigracionit në Masë" të propozuar nga Partia zvicerane e Popullit, një parti e krahut të djathtë, e cila thotë se vendi nuk mund të përballojë dot 80.000 emigrantë të rinj çdo vit.

Referendumi mori gjithashtu miratimin e shumicës së kërkuar në më shumë se gjysmën e kantoneve apo rajoneve të Zvicrës.

Kreu i organit ekzekutiv të kantonit të Gjenevës thotë se votimi e ka lënë vendin të ndarë.

"Do të lindë një sëmundje ngjitëse kombëtare, formën e të cilës ne ende nuk mund ta parashikojnë, për këtë do të duhet të pyesim ata që propozuan nismën. Ajo që dimë është se kjo sëmundje ngjitëse do të ndikojë te evropianët, te njerëzit me prejardhje nga jashtë Evropës - të cilët janë të vetmit që preken aktualisht, njerëz të cilët kalojnë kufirin çdo ditë për të shkuar në punë, azilkërkuesit. Pra, të huajt në përgjithësi.''

Sipas propozimit të ri, Zvicra do të duhet të hartojë legjislacionin duke vendosur kufizime për numrin e imigrantëve evropianë, si dhe për të drejtën e tyre për të sjellë familjet.

Vendimi nënkupton gjithashtu se qeveria zvicerane do të duhet të rinegociojë traktatet mbi lëvizjen e lirë të njerëzve për në Bashkimin Evropian. Qytetarët zviceranë kanë qenë në gjendje të udhëtojnë lirisht dhe të punojnë në vendet e BE-së, megjithëse Zvicra nuk është anëtare e këtij blloku.

Fushata për referendumin e Partisë Popullore Zvicerane ka përmendur efektet negative në çmimet e shtëpive, vendet e punës, transportin dhe infrastrukturën publike si arsye për mbajtjen e tij.

Kundërshtarët e referendumit argumentojnë se masat që frenojnë imigracionin do të dëmtojnë ekonominë dhe do ta bëjë më të ndjeshme mungesën e punëtorëve të huaj me kualifikim të lartë.
XS
SM
MD
LG