Lidhje

25 vjet pas aksidentit në Alaska


Aksidenti shkatërroi botën bimore dhe shtazore përgjatë një vije bregdetare prej rreth 2 mijë e 100 kilometrash

Tani pas 25 vjetësh, vidrat janë rikthyer me shumicë në rajonin Prince William Sound të Alaskës, vendi i një prej aksidenteve më të rënda ekologjike. Më 24 mars të vitit 1989, anija Exxon Valdez, u përplas me shkëmbin Brigh Reef, duke derdhur brenda disa orësh rreth 41 milionë e 640 mijë litra naftë të papërpunuar në ujërat e pasura me peshk të gjirit Prince William Sound. Lënda toksike vrau një sasi të pallogaritshme kafshësh dhe bimësh në zonën bregdetare.
Rick Wade, një zhytës nga ajo zone, ishte i pari që pa skenën që ndodhi atë natë.

“Kur shkuam në vendin e aksidentit, komandanti i rojes bregdetare na kërkoi të sillnim materiale për bllokimin e rrjedhjes.”

Por kjo ishte e pamundur, pasi nafta po dilte me forcë dhe me një shpejtësi të rrufeshme në sipërfaqe.

“Askush nuk e mendonte se sa shpejt do të çahej anija. Thuajse ajo u nda në mes, gjë që do të kishte shkaktuar përmbysjen e saj. Mund të ishte kthyer mbrapsh dhe ende sot do të ishte atje. Askush nuk do të mund ta nxirrte dot jashtë.”

Bernie Cubertson po përgatitej të zinte peshk kur ndodhi përplasja me shkëmbin e anijes Exxon Valdez. Por pas rrjedhjes së madhe të naftës nuk mund të zihej më peshk. Prandaj, Cubertson ja dha me qira barkën e tij ekipeve që u angazhuan me përpjekjet e pastrimit të ujit. Niveli i tij i jetesës e tij, ashtu sikurse edhe i shumë peshkatarëve të tjerë, u godit rëndë në vitet që pasuan. Salmoni i kuq, filloi të shitej me një çmim 10 herë më të vogël se më parë. Konsumatorët filluan t’i kthehen salmonit të kuq dhe tonit të rritur artificialisht në rezervuare, nga frika e përdorimit të peshkut të ndotur me lëndë toksike. Gjendja ekonomike e peshkatarëve u keqësua, çeqet e kompensimit nga kompania Exxon vonoheshin dhe shumë peshkakatarë mbetën pa mjete jetese. Kjo i detyroi ata të shkonin për peshkim në rajone të tjera, deri në Kaliforni. Ata peshkatarë, të cilët mundën t’i kapërcejnë vështirësitë për 5-6 vjet, mundën të mbijetojnë. Sot, pas 25 vjetësh, peshkimi nuk është më njëlloj si më parë. Shumë peshq janë zhdukur, ose pakësuar, si karkalecat, gaforret dhe sardelet. Sidomos këto të fundit pothuajse janë zhdukur. Ky lloj peshku i vogël është tepër i rëndësishëm sepse shërben si ushqim për salmonin, zogjtë e detit dhe gjitarë të jerë të detit, si vidrat dhe balenat. Që nga ajo kohë janë marrë masa që ajo që ndodhi më 1989 të mos përsëritet. Ligjet e miratuara pasi ndodhi fatkeqësia kërkojnë që nafta e transportuar në brigjet veriore të Alaskës të futet nëpër cisterna me mure të dyfishta. Dy rimorkiatorë kërkohet t’i shoqërojnë tani anijet cisternë drejt Gjirit të Alaskës. Radari i Rojes Bregdetare dhe dy persona e monitorojnë vazhdimisht pozicionin e anijes. Ndërsa disa radarë të tjerë monitorojnë ajsbergët. Kompania kryen dy prova në vit për të parë reagimin dhe si funksionojnë masat e marra në rastin e një rrjedhjeje të re.

“Kodi i shtetit na kërkon që njoftojmë menjëherë në se ndodh një rrjedhje nafte. Personeli dhe pajisjet që përdoren gjatë provës duhet të jenë të aftë të parandalojnë katastrofat që mund të ndodhin.”

Po ashtu, bëhen prova me 400 pronarët e barkave lokale të peshkimit, që do të dislokoheshin në rastin e një aksidenti.Një studim i Institutit Amerikan të Gjeologjisë i publikuar së fundi arrin në përfundimin se vidrat, janë rikthyer në të njejtin numër si para aksidentit. Po ashtu edhe shumë specie të tjera deti tashmë janë rikthyer në brigjet e Alaskës.
XS
SM
MD
LG