Lidhje

Pasuria, akuza anëtarit të KLD


Inspektoriati i deklarimit të pasurive kallëzim penal ndaj gjykatësit Gjin Gjoni, dyshime për pasuritë e shumta. Gjoni: Janë të bashkëshortes të krijuara në vite. Nuk u thirra nga ILDK. Farsë politike

Në Shqipëri inspektoriati i Lartë i deklarimit të pasurive njoftoi sot se ka bërë kallëzim penal ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Apelit dhe anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë Gjin Gjoni pas verIfikimit të shkeljeve të shumta lidhur me pasuritë qindra mijëra euroshe të tij dhe bashkëshortes. Duke folur për Zërin e Amerikës, Zoti Gjoni i hodhi poshtë akuzat e ngritura ndaj tij.
Pasuria, akuza anëtarit të KLD
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:13 0:00


Inspektoriati ka ngritur dyshime të forta ndaj pasurisë së gjyqtarit Gjin Gjoni. Sipas njoftimit bëhet fjalë për fshehje të burimeve të pasurive, falsifikime të kontratave të ndryshme me vlera të larta financiare për blerje automjeti apo banesave tepër të shtrenjta, deklarime të rreme apo fshehje të aktiviteteve të bizneseve në pronësi të bashkëshortes. Vetëm për udhëtimet jashtë vendit gjykatësi Gjoni dhe bashkëshortja e tij rezultojnë të kenë shpenzuar, sipas Inspektoriatit, afro 250 mijë euro, burimi i të cilave vlerësohet gjithashtu i dyshimtë. Në njoftimin e Inspektoriatit theksohet se të gjitha pasuritë e deklaruara nga gjykatësi dhe bashkëshortja e tij, kanë burim financiar të dyshimtë.

Gjykatësi Gjoni akuzohet për “fshehje dhe deklarim të rremë të pasurisë në bashkëpunim, falsifikim të dokumentave në bashkëpunim, pastrim të produkteve të veprës penale në bashkëpunim, dhe korrupsion”.

I pyetur nga Zeri i Amerikës, ai e konsideroi absurde të gjithë këtë situatë dhe faktin se ai nuk është thirrur për asnjë lloj shpjegimi nga Inspektoriati, por e ka marrë vesh denoncimin ndaj tij vetëm nga mediat. Ai shpjegoi se pasuritë i takojnë bashkëshortes së tij dhe janë krijuar para se ata të martoheshin. Sipas gjykatësit Gjoni, e gjitha kjo është një farsë politike, që përmes tij të goditet Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe të justifikohen ndërhyrjet që sipas tij shumica kërkon të realizojë në Drejtësi.

Gjykatësi Gjoni u vu ditët e fundit në qendër të vëmendjes pas sulmeve që kishte drejtuar ndaj tij edhe kryetari i gjykatës së Apelit Alaudin Malaj për ndërhyrje në procese gjyqësore ku ai akuohej të kishte qenë i interesuar personalisht. Zoti Gjoni ngriti padi ndaj kryetarit të Gjykatës për këto akuza. Ai tha se të njejtën gjë do të bëjë edhe ndaj Inspektoriatit të Deklarimit të pasurive.

Muajin e shkuar inspektoriati denoncoi dhe dy gjyqtarë të tjerë lidhur me deklarimet e pasurive të tyre. Këto vendime vijnë në një kohë debatesh të ndezura lidhur me korrupsionin e lartë në sistemin gjyqësor shqiptar.
XS
SM
MD
LG