Lidhje

Kurti: Zhvillimi ekonomik i integron të gjithë minoritetet në Kosovë


Intervistë me Albin Kurtin
please wait

No media source currently available

0:00 0:09:07 0:00
Zëri i Amerikës: Zoti Kurti, sapo dëgjuam pra kronikën nga Prishtina. Sot nuk është arritur të kalojë ligji për formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. A shikoni ju një zgjidhje për këtë çështje të rëndësishme për Kosovën?

Albin Kurti: Kronologjia e zhvillimeve dhe ngjarjeve përkatësisht më këtë çështje e tregon kuptimin e asaj se çfarë ka ndodhur sot. Së pari, ekzistonte marrëveshja e prillit të vitit 2011, që Kosova të jetë me shumë zona zgjedhore. Meqënëse kjo nuk u realizua, atëherë Serbia e pa që duhet të kërkojë edhe mandate shtesë për vendet e rezervuara, pasi që nuk do të mund ta ketë zonën serbe brenda Kosovës në zgjedhjet e ardhshme. Ata synonin që të ishin gjashtë, apo shtatë zona shqiptare dhe një zonë virtuale serbe, e përbërë prej veriut dhe enklavave. Kjo dështoi, dhe tash duan një apo dy mandate shtesë që është në kundërshtim me kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe një dëshmi më shumë që përparësitë që i kanë marrë nga plani Ahtisaari po i përdorin kundër planit Ahtisaari. Dhe duket që në bisedimet e Brukselit, kryeministri Thaçi i ka premtuar ish-kryeministrit të Serbisë Dacic që do të vazhdojë ultëset e rezervuara për një ose dy mandate, para Baroneshës Ashton atje. Dhe tash, duke pas parasysh se e ka dhënë këtë premtim atje, kryeministri po përpiqet që edhe Kosova të përfitojë diçka, konkretisht Forcat e Armatosura të Kosovës. Mendoj që Forcat e Armatosura të Kosovës edhe ultëset e rezervuara nuk duhet të lidhen me njëra-tjetrën, dhe as me premtimet që i ka bërë kryeministri në Bruksel. Ne kemi nevojë për ushtri, dhe ushtria e Kosovës, e quajtur Forcat e Armatosura të Kosovës nuk është kundër serbëve, nuk është kundër asnjë minoriteti në Kosovë, ajo mund të jetë vetëm kundër pretendimeve të Serbisë për Kosovën. Prandaj, të gjithë ato që kundërshtojnë Forcat e Armatosura të Kosovës, në fakt nuk përfaqësojnë as qëndrim minoritetesh, por përfaqësojnë qëndrimin e Beogradit i cili e kundërshton këtë gjë.
Intervistë me Albin Kurtin
please wait

No media source currently available

0:00 0:09:07 0:00

Zëri i Amerikës: Ju dhe Partia Demokratike e kundërshtoni pra, formimin e Forcave të Armatosura, duke bërë këto lëshime. Por, a nuk ia vlen të bëhen disa lëshime, qoftë edhe për dy mandate, ndaj komuniteteve në pakicë, për të arritur formimin e një komponenti kaq të rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës?

Albin Kurti: Kosova është shpallur republikë e pavarur dhe ne si qytetarë dhe përfaqësues të qytetarëve duhet të kemi ambicie në përputhje me detyrën dhe obligimin që kemi marrë prej qytetarëve. Pra Kosova duhet ta ketë ushtrinë e vet, mirëpo nuk do të duhej që të vazhdohen edhe më tej vendet e rezervuara, të cilat na e minojnë shtetësinë neve, duke e bërë Kosovën një vend jofunksional. Pra, ultëset e rezervuara nuk po kërkohen për shkak të të drejtave të serbëve, por për shkak të ambicieve të Beogradit dhe ne duhet ta mbrojmë republikën nga pretendime të tilla.

Zëri i Amerikës: Nga kjo çështje lidhen edhe zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme në Kosovë, që flitet që do të zhvillohen në qershor, por ndërkohë ato mund të shtyhen deri nga vjeshta, nëse nuk arrihet një marrëveshje për Forcat e Armatosura. Ndërkohë, është miratuar një ligj për çështjet zgjedhore, ndonëse nuk është një ligj që mbulon tërësisht reformën zgjedhore në Kosovë. Sipas jush, sa të realizueshme janë zgjedhjet në një periudhë të shkurtër?

Albin Kurti: Besoj se Kosova ka nevojë për zgjedhje të parakohshme sepse sa më shkurt të jetë në krye të shtetit kjo qeveri, aq më mirë do të jetë për Kosovën si republikë, dhe për popullin e Kosovës. Mirëpo kemi nevojë që të aprovohet edhe ligji i zgjedhjeve, dhe kemi nevojë që këto zgjedhje të jenë të përgatitura mirë. Po bëhen disa pazare politike jashtë-institucionale dhe jashtë-ligjore dhe kjo po ndodh midis krerëve politikë të partive në Kosovë ku ne nuk marrim pjesë. Ne mendojmë që ka nevojë për diskutime parlamentare në kuvendin e Republikës dhe mendoj që tash që Kosova do të ketë një zonë zgjedhore, tash që listat do të jenë të hapura, praktikisht nuk do të ketë reformë zgjedhore. Dhe është mirë që në zgjedhjet e ardhshme të kujdesemi që të mos përsëritet ç’ka do qoftë që i përngjan asaj vjedhjes industriale të dhjetorit të vitit 2010. Pra, kemi nevojë për zgjedhje të lira e demokratike, e jo vetëm për zgjedhje të qeta, siç u quajtën atëherë. Dhe besoj se për këtë gjë, duhet të kontribuojnë komisionerët, Lëvizja Vetëvendosje është në shërbim të zgjedhjeve të lira dhe demokratike, por duhet të kontribuojë edhe KQZ-ja me përgatitjet e duhura. Por besoj që këto pazare që po bëhen jashtë institucioneve të Republikës nuk i kontribuojnë frymës demokratike e cila është e domosdoshme për zgjedhje të lira.

Zëri i Amerikës: Partia juaj është shprehur edhe kundër krijimit të Gjykatës së Posaçme të Kosovës, që do të gjykonte ish-luftëtarët e Kosovës. Disa vende aleate të Kosovës thonë se ky do të ishte një rast i mirë për të pastruar imazhin e ish-luftëtarëve të UÇK-së. A nuk duhet parë në këtë aspekt kjo, krijimi i kësaj gjykate, që Kosova të mund të përfitojë prej saj.

Albin Kurti: Ne kemi një kryeministër të cilit shumë më tepër i frikësohen qytetarët e vendit se sa Serbia. Dhe kemi një kryeministër i cili është i dobët karshi të tjerëve dhe i fuqishëm karshi qytetarëve të Republikës, prandaj na erdh edhe ky tribunal, kjo gjykatë e veçantë që në fakt vjen pas kapitullimit të dialogut me Dacic-in në Bruksel, ku u morën vesh për asocacionin e komunave me shumicë serbe, në të cilin praktikisht gjithandej e fitoi pushtetin partia e Beogradit. Natyrisht, pas kapitullimit vjen tribunali, dhe për bindjen time kjo gjykatë speciale e dorëzon luftën çlirimtare jashtë vendit. Ne e kemi kundërshtuar këtë gjë; pas tribunalit të Hagës, për paqe, stabilitet dhe pajtim në Ballkan, ka nevojë për një tribunal ndaj Serbisë. Ajo shkaktoi katër luftëra, dhe vrau 150,000 jo-serbë: sllovenë, kroatë, boshnjakë dhe shqiptarë. E jo tash, UÇK-ja të kriminalizohet dhe mediat botërore të mbushen me shpifjet e ndryshme që e kanë burimin në Beograd e fatkeqësisht e gjetën edhe vulën e senatorit Marty në Këshillin e Evropës.

Zëri i Amerikës: Të flasim pak për çështjen e luftëtarëve të Kosovës që shkojnë në luftën e Sirisë. Partia juaj, si e shikon këtë proces që është parë dhe parë me shumë shqetësim nga komuniteti ndërkombëtar?

Albin Kurti: Në vitin 2012 opozita siriane pat ardhur në Kosovë dhe e gjeti mbështetjen e pa rezervë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, e cila bëri gabim kur e krahasoi opozitën siriane me UÇK-në dhe Assadin me Millosheviçin. Mbase Assadi mund të krahasohet dhe me diktatorë të tjerë, mirëpo jo edhe opozita siriane. Dhe në këtë mënyrë, Ministria jonë e Punëve të Jashtme kontribuoi që dhjetëra të rinj të shkojnë në këtë luftë ku nuk dihet qartë as qëllimi, as përbërja, as betejat, etj. Mendoj që shkuarja e tillë në luftë është e gabueshme, dhe mendoj që këtë e bëjnë shumë njerëz të cilët janë në gjendje të dëshpëruar në Kosovë. Pra, Kosova po shndërrohet në një tokë pjellore për gjithfaqë ekstremizmash, për shkak të papunësisë së madhe, varfërisë së madhe, dhe qytetit të ndarë të Mitrovicës ku i kemi tre maune me dhe midis urës mbi Ibër, ndonëse janë pesë mijë pjesëtarë të KFOR-it, një mijë e dyqind të EULEX-it, tetë mijë policë të Kosovës, dhe dy mijë e pesëqind pjestarë të FSK-së. Pra, ndarja e brendshme, dhe mungesa e perspektivës për punësim, po bën që shumë të rinj të ndërmarrin edhe këto lloj veprimesh ekstreme që natyrisht nuk janë të dëshirueshme për askënd.

Zëri i Amerikës: Juve çfarë zgjidhje shikoni për veriun, ose çfarë alternative më të mirë mund të kishte për veriun?

Albin Kurti: Në veriun e Kosovës nuk ekziston, le të themi vetëm një lloj serbësh; ka serbë që nuk kanë të bëjnë fare me strukturat paralele të Serbisë, ka serbë që vetëm përfitojnë prej tyre pa qenë pjesëmarrës, ka serbë që punojnë për kulturë, arsim, shëndetsi, struktura paralele të Serbisë, dhe ka serbë të cilët punojnë për MUP-in famëkeq, domethënë, ai që është direkt nën kontrollin e Beogradit, sektori i sigurisë, që terrorizon shqiptarët në veri. Me këta nuk duhet të ketë as komunikim, as dialog, ata do të duhej që të arrestoheshin, ndërkohë që integrimi i serbve jo të bëhet nëpërmjet privilegjeve nëpër institucione, por nëpërmjet barazisë në shoqëri, ku unë besoj se zgjidhja është zhvillimi ekonomik. Po ta kishim një fabrikë të ujit në Mitrovicë që e merr ujin nga veriu e shishet nga jugu, aty punëtorët shqiptarë dhe serbë do të mund të komunikonin dhe bashkëpunonin. Pra, zhvillimi ekonomik i integron të gjithë minoritetet, posaçërisht ata serbë, dhe rivilitalizon Trepçen. Është vështirë të thuhet se a i ka paraprirë ndarja e Trepçes ndarjes së Mitrovicës, apo anasjelltas. Mendoj që bashkimi i Mitrovicës dhe bashkimi i Trepçes janë dy anë të së njëjtës medalje e cila është dëshmi që Republika e Kosovës ka sukses.
XS
SM
MD
LG