Lidhje

Lufta kundër varfërisë në SHBA


President Barack Obama gestures as he speaks during a town hall meeting at Malaya University in Kuala Lumpur, Malaysia, Sunday, April 27, 2014.
President Barack Obama gestures as he speaks during a town hall meeting at Malaya University in Kuala Lumpur, Malaysia, Sunday, April 27, 2014.
Pesëdhjetë vjet pasi Presidenti Lyndon Johnson i shpalli luftë varfërisë në Shtetet e Bashkuara, rreth 46 milionë amerikanë - apo 15 për qind e popullsisë - jetojnë në varfëri. Në kongresin amerikan, ligjvënësit republikanë dhe demokratë nuk bien dakord në lidhje me efektivitetin e programeve të qeverisë që synojnë të ndihmojnë njerëzit në nevojë. Korrespondentja Cindy Saine e Zërit të Amerikës vizitoi një organizatë ndihmash në Uashington të quajtur Bread for the City për të pyetur anëtarët e stafit dhe klientët se çfarë ata mendojnë.

Në Uashington, organizata Bread for the City jep ushqime, ndihma mjekësore dhe shërbime ligjore. George Jones është drejtor ekzekutiv:

"Ndoshta një në tre familje në Uashingron jeton në varfëri. Pra edhe pse ky rajon është një nga më të pasurit në vend, ka pothuajse 200,000 njerëz në Uashington që jetojnë në varfëri në një qytet me 600 mijë banorë."

Jo shumë larg, në ndërtesën e Kongresit, ligjvënësi republikan Paul Ryan,kryetari i komisionit të fuqishëm për buxhetin, thotë se qeveria po e humbet luftën kundër varfërisë.
“Mendoj se të gjithë biem dakort se Uashingtoni nuk të bën të ndihesh krenar këto ditë. Tani qeveria federale shpenzon gati $800 miliardë dollarë në vit për 92 programe të ndryshme që luftojnë varfërinë. Megjithatë niveli zyrtar i varfërisë është më i larti i 20 vjetëve të fundit.”

Disa përkrahës janë dakort me zotin Ryan, kur thonë se programet qeveritare mund të përjetësojnë në fakt ciklin e varfërisë, ndërsa industria private mund të ndryshojë jetët e njerëzve përgjithmonë duke u dhënë atyre punë. Robert Woodson është president i grupit të ndihmave Center for Neighborhood Enterprise. Ai thotë se qeveria ka krijuar një industri të tërë shërbimesh për të varfërit e vendit.

“70 përqind e të gjitha parave në këto vite që kemi shpenzuar për të varfërit ka shkuar për ata që u shërbejnë atyre.”

Shumica e demokratëve nuk janë dakort dhe kritikojnë republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve që duan të shkurtojnë shpenzimet e programeve të brendëshme nga të cilat përfitojnë të varfërit, siç është Medicaid. Në organizatën Bread for the City, klienti Mark Smith Simms thotë se shkurtimet në programin Medicaid do të jenë shkatërrimtare për atë dhe shumë të tjerë..

"Kjo do të thotë të të duhet të jetosh me dhimbje, pasi kur je në një situate ku nuk ke ku të shkosh tjetër për trajtim mjekësor, dhimbja është edhe më e madhe dhe të prish çdo aspekt tjetër të jetës."

Disa anëtarë të grupit të afrikano-amerikanëve në Kongres kanë kritikuar kongresmenin Ryan për deklaratat e tij rreth një kulture në qytet që ai thotë se nuk vlerëson punën. Zoti Ryan u takua me grupin dhe kryetarja e tij Marcia Fudge u tha gazetarëve se fillimi ishte i mbarë.

“Ne vlerësojmë që kryetari Ryan erdhi të na takojë. Nuk zgjidhëm shumë gjëra por jemi dakort për një numër çështjesh. Një prej tyre është se të dyja palët janë të shqetësuara për varfërinë në këtë vend. Ne nuk biem dakort për mënyrat e zgjidhjes së këtij problemi”.

George Jones me organizatën Bread for the City thotë se ligjvënësit mund të jenë duke bërë pyetjen e gabuar:

"Pyetja nuk është vërtetë në se këto programe qeveritare kanë funksionuar. Pyetja është sa e vështirë do të ishte gjendja në se nuk do t’i kishim këto programe."

Ndërsa debati për varfërinë vazhdon në Uashington, Bread for the City dhe organizata të tjera në vend vazhdojnë të ndihmojnë njerëzit në nevojë.
XS
SM
MD
LG