Lidhje

Vatikani, shkelje të Konventës Kundër Torturës


Një agjenci e Kombeve të Bashkuara ka arritur në përfundimin se Vatikani mund të ketë shkelur Konventën e OKB-së kundër Torturës, kryesisht për shkak të dhunimeve dhe abuzimeve seksuale për të cilat akuzohen disa klerikë. Me deklarimin e përfundimeve të tij, Komisioni i OKB-së Kundër Torturës, i përbërë nga 10 ekspertë të pavarur, kritikoi Vatikanin për dorëzimin nëntë vjet me vonesë të raportit të tij për reformat e zbatuara.

Vatikani nuk vonoi t’u përgjigjej vërejtjeve të komisionit, duke e vënë theksin tek komentet pozitive të raportit. Një deklaratë e Vatikanit vëren se “komisioni nuk deklaron se Vatikani ka shkelur Konventën kundër Torturës”.

Por, nënkryetarja e komisionit Felice Gaer thotë se reagimi keqinterpreton përfundimet e këtij komisioni:

"Komisioni ka identifikuar një numër fushash në të cilat Vatikani nuk ka vepruar në përputhje me detyrimet e Konventës”.

Komisioni nuk është dakord me argumentin e Vatikanit se Selia e Shenjtë, në bazë të traktatit është përgjegjëse vetëm për shtetin e Vatikanit, me rreth 1000 rezidentë.

Komisioni thotë se Selia e Shenjtë nuk mund të vetë-deklarohet jashtë përgjegjësisë për shkeljet dhe abuzimet e kryera nga priftërinjtë dhe zyrtarët kishtarë që jetojnë në të gjithë botën. Ekspertët e akuzojnë Vatikanin se nuk përmbushi detyrimin e tij për të parandaluar dhe hetuar rastet e abuzimeve seksuale, për të ndëshkuar personat përgjegjës dhe për të kompensuar viktimat.

Zonja Gaer thotë se deri në ç’nivel të hierarkisë së kishës shkojnë përgjegjësitë duhet të përcaktohet në bazë të rasteve individuale.

"Ne nuk kemi ngritur idenë se Selia e Shenjtë është përgjegjëse për veprimet e çdo katoliku në botë. Por rastet që kemi përmendur dëshmojnë se zyrtarë të Vatikanit ushtrojnë kontroll mbi sjelljen e klerikëve jashtë perimetrit të Vatikanit”.

Komisioni thotë se Vatikani ka fuqinë t’i detyrojë abuzuesit të ndalin aktet e tyre si dhe të parandalojë abuzimet duke veçuar elementët problematikë nga individë që mund të viktimizohen.

Komisioni gjithashtu kritikon Vatikanin se nuk ka udhëzuar peshkopët t’u dorëzojnë autoriteteve civile informacionin mbi rastet e abuzimeve seksuale.

Ekspertët gjithashtu akuzojnë Vatikanin se nuk ka dhënë informacion të plotë për abuzimet seksuale. Sipas tyre, Selia e Shenjtë ka dërguar informacion për 3500 raste priftërinjsh që janë ndëshkuar për akte të tilla, por anëtarët e komisionit mendojnë se numri real është shumë më i madh.

Vatikani kritikoi aludimet e komisionit se abuzimi seksual është i barabartë me torturën, siç përkufizohet tortura nga Konventa. Sipas Selisë së Shenjtë “ky qëndrim është rrënjësisht i gabuar, çorientues dhe praktikisht joproduktiv”.

Komisioni shprehet se jo çdo rast abuzimi seksual apo përdhunimi mund të përkufizohet si torturë, por shton se nëse një institucion është në dieni të akteve të tilla kriminale dhe nuk ndërmerr hapa për t’i parandaluar, ky qëndrim mund të konsiderohet si shkelje në bazë të ligjit ndërkombëtar.
XS
SM
MD
LG