Lidhje

Nato dhe krizat globale


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmusen u takua me Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, për të diskutuar krizat me të cilat ballafaqohet aleanca në dy pjesë të ndryshme të botës. Takimi i së martës në Shtëpinë e Bardhë vjenë ndërkohë që NATO përgatitet për një samit kritik në shtator.

Presidenti Obama priti në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Anders Fogh Rasmusen.

Ata diskutuan për atë që po ndodh në Afganistan ku katër ushtarë të NATO-s u vranë të martën në një sulm vetëvrasës me bombë në provincën lindore Parvan.

Ndërkohë, akuzat për manipulime kanë njollosur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vendit ku të dy kandidatët pretendojnë se i kanë fituar zgjedhjet. Këto zhvillime kanë krijuar paqartësi të reja mbi të ardhmen e NATO-s në vend.

"Nëse nuk do të ketë sqarime para samitit të NATO-s në shtator, atëherë do të jetë e vështirë të shihet se si mund të nënshkruhet marrëveshja e sigurisë para takimit. Në këtë rast ne do të ballafaqoheshim me probleme të mëdha si planifikimi për një mision trajnimi pas vitit 2014".

Shtetet e Bashkuara kanë 31 mijë ushtarë në Afganistan. NATO ka rreth 17 mijë ushtarë të tjerë si pjesë e Forcës Ndërkombëtare të Sigurisë.

Por pa nënshkrimin e marrëveshjes së re të sigurisë, këto nivele mund të bien pothuajse në zero, duke krijuar hapësirë për më shumë paqëndrueshmëri në Afganistan.

Përveç kësaj, presioni nga Rusia, e cila ka pushtuar Krimenë dhe vazhdon të mbështesë seperatistët pro-rusë në Ukrainën lindore.

Steven Pifer është ish-ambasador i Shteteve të Bashkuara në Ukrainë.

"Duke pasur parasysh shqetësimet e reja rreth politikës ruse dhe veprimeve ruse, do të shohim që NATO të rifokusohet në synimet fillestare të aleancës, që ishte sigurimi i mbrojtjes kolektive".

Shtetet e Bashkuara dhe NATO kanë ndërmarrë hapa për të siguruar vende si Polonia dhe shtetet baltike, të cilat janë të shqetësuara se Rusia mund të bëjë diçka të ngjashme kundër tyre.

Por ka dallime mbi atë se sa larg NATO dhe partnerët e saj duhet të shkojnë.

Karl Bildt është Ministër i Jashtëm i Suedisë.

"Nuk mund ta izolosh plotësisht një vend si Rusia, gjë që nuk kemi kërkuar ta bëjmë, por ne jemi duke dërguar sinjale shumë të qarta se politikat e tyre janë të papranueshme dhe me pasoja ekonomike".

Por të tjerët, përfshirë analistin Jorge Benitez nga Këshilli Atlantik, thonë se SHBA dhe NATO nuk kanë qenë mjaft të qarta në lidhje Rusinë.

"Ne thjeshtë po përpiqemi të shmangim rrezikun. Edhe pse Putini është në një pozitë shumë të dobët, ai është i gatshëm të marrë përsipër koston dhe të paguajë koston e zbatimit të qëndrimit të tij dhe për këtë arsye pozita e tij është fituese deri tani”.

Një tjetër shqetësim për NATO-n është mungesa e mbështetjes për shpenzimet në fushën e mbrojtjes.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s thotë se në qoftë se të gjitha vendet anëtare i përmbushin kushtet minimale, aleanca do të kishte pasur një buxhet shtesë prej 90 miliardë dollarësh, një çështje kritike në një kohë kur NATO-ja po përballet me kërcënime të shumta.

XS
SM
MD
LG