Lidhje

Joseph: Tensionimet në Maqedoni, mjaft serioze


Eksperti i çështjeve të Ballkanit Edward Joseph thotë se tensionimet e fundit të marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoni janë mjaft serioze. Në një intervistë me kolegen Milena Djurdjic të shërbimit serb të Zërit të Amerikës, ai tha se anëtarësimi i Maqedonisë në NATO do të ndihmonte për përmirësimin e këtyre marrëdhënieve. Zoti Joseph është ekspert i Qendrës së Marrëdhënieve Ndëratlantike në Uashington.

Ekspertet per tensionet ne Maqedoni
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:05 0:00

Mendoj se ky është një problem shumë serioz, jo thjesht për protestën që u zhvillua por për mundësinë që hendeku etnik në Maqedoni të thellohet. Gjatë disa viteve të fundit kemi parë një udhëheqje të papërgjegjshme në Shkup. Kemi parë edhe disa prirje shumë negative, ku siç po shihet, personat që u shpallën fajtorë dhe që mund të jenë përgjegjës për vrasjet po marrin mbështetje publike. Mendoj se kjo është diçka dëshpëruese. Kemi një rast mes Izraelit dhe palestinezëve lidhur me disa vrasje të fundit, por të paktën atje janë bërë arrestime në njërin rast dhe shpresohet që personi, i cili vrau palestinezin, të ndiqet ligjërisht me një proces serioz. Shpresohet që kjo ndjekje ligjore të marrë mbështetje publike. Në rastin e vrasjeve makabre në Maqedoni, të gjithë do të shpresonin që edhe atje të ndodhte po ashtu, natyrisht duke supozuar se gjykimi do të ishte i drejtë. Pra shpresat do të ishin që për viktimat të kishte mbështetje publike. Çështja në Maqedoni është shumë serioze. Mendoj se ishte gabim që anëtarësimi i Maqedonisë në NATO u pezullua për shkak të kundërshtimit të Greqisë. Rasti i tanishëm na kujton nevojën urgjente nga ana e NATO-s që çështja me Greqinë të zgjidhet një herë e mirë dhe që Maqedonia të anëtarësohet. Ky do të ishte hapi më i mirë i mundshëm për përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes shqiptarëve dhe maqedonasve.

XS
SM
MD
LG