Lidhje

Deportimi i fëmijëve


Shtetet e Bashkuara kanë deportuar 38 fëmijë dhe nënat e tyre në Honduras këtë javë, në të parin e fluturimeve që qeveria amerikane premton që do të jenë të rregullta, për të kthyer në vendet e tyre emigrantët e paligjshëm. Por Shtetet e Bashkuara e kanë të vështirë të përballojnë fluksin në rritke të mijëra fëmijëve, disa herë të shoqëruar nga nënat e tyre dhe disa herë të vetëm, që ndërmarrin udhëtimin e gjatë dhe të vështirë nga Hondurasi, Guatemala dhe El Salvadori. Presidenti Barack Obama premtoi këtë muaj se do të përshpejtojë procesin e kthimit të fëmijëve në vendet e tyre, pasi numri i të ardhurve krijoi një krizë humanitare në kufirin me Meksikën. Problemi ka ngjallur debat të ashpër politik në Uashington.

Grupi i parë i fëmijëve të deportuar u kthye në Honduras të hënën. Ata ishin mes mijëra fëmijëve të pashoqëruar nga shtetet e Amerikës Qendrore, vende të pllakosura nga varfëria dhe dhuna ekstreme. Përveç Hondurasit, një numër i madh fëmijësh janë nga El Salvadori dhe Guatemala.

Zonja e parë hondurase Ana Garcia de Hernandez ishte në aeroportin San Pedro Sula për të pritur fëmijët e deportuar.

“Ky është një problem i rajonit, i Amerikës Qendrore, i Meksikës dhe i Shteteve të Bashkuara. Dje pata rastin të bisedoj me anëtarë të Kongresit amerikan dhe e ndjeva se ata ishin të gatshëm të kuptonin se kjo është një përgjegjësi e përbashkët dhe se si mund të veprojmë së bashku, për të gjetur rrënjët e problemit, jo vetëm çështjen e kufirit amerikan, por në secilin prej vendeve tona.”

Shumica e hondurasve të deportuar u mbajtën në paraburgim në kufirin amerikan në fund të qershorit pas një udhëtimi të gjatë dhe të lodhshëm për të mbërritur atje.

Zonja Hernandez tha se qeveria do të nisë një fushatë reklamimi që familjet të mos i dërgojnë fëmijët në udhëtime të tilla të rrezikshme.

Muajin e kaluar, një 15 vjeçar nga Guatemala u gjet i vdekur në Teksasin jugor. Alan Perez, konsulli guatemalez në Teksas, thotë se mesa duket djali vdiq nga rraskapitja.

“Ishte shumë tronditëse dhe e trishtueshme sepse nuk mund ta imagjinoje se një djalë i vogël mund të vdiste, i vrarë nga dielli dhe ekspozimi i gjatë. Është shumë e trishtueshme.”

Amerikanët janë të ndarë mbi mënyrën se si duhet zgjidhur kriza. Disa duan ligje më të forta, kontroll më të mirë të kufirit dhe deportime më të shpejta. Të tjerë thonë se është çnjerëzore të refuzosh njerëzit, sidomos fëmijët, në nevojë të dëshpëruar për kujdes. Protestues nga të dyja palët u mblodhën të martën në një qytet të Arizonës ku do të ktheheshin disa dhjetra emigrantët pa dokumente.

“Ne nuk e dimë – këta janë gjoja thjesht refugjatë, fëmijë. Por mes tyre mund të ketë njerëz të këqij".

“Më vjen për të qarë kur shoh se sa frikë kanë qytetarët. Unë kam shokë shumë të mirë që kanë frikë nga këta fëmijë.”

Migracioni në masë nga vendet në zhvillim është një fenomem botëror, thotë sociologu Mark Horowitz.

“Çështja kryesore është pabarazia politiko-ekonomike në botë. Prandaj, edhe pse nuk është një zgjidhje e lehtë, mendoj se kur vendet të ulen për bisedime, është e rëndësishme që vendet më të pasura të jenë të ndjeshme ndaj rrethanave që sjellin një emigracion të tillë në masë.”

Zoti Horowitz thotë se vetëm njerëzit në rrethana dëshpëruese lënë vendet e tyre dhe rrezikojnë jetën për të shkuar në një vend tjetër.

XS
SM
MD
LG