Lidhje

Kriza e imigracionit të fëmijëve në SHBA


Shtetet e Bashkuara kanë filluar të kthejnë grupe imigrantësh të rinj nga shtetet e Amerikës qendrore të cilët kanë hyrë në vend në mënyrë të paligjshme. Më shumë se 60 mijë fëmijë kanë ardhur në Shtetet e Bashkuara që nga tetori i vitit të kaluar, një rritje prej 400 për qind nga viti i mëparshëm. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Carolyn Presutti analizon problemin dhe tregon historinë se si një adoleshent nga Amerika Qendrore erdhi në SHBA.

Brandon stërvitet që të ketë muskujt e një burri. Për ironi, ishte fuqia e tij që e detyroi atë të largohej nga Guatemala dhe të vijë në kufirin amerikan. Një bandë kriminale i kishte vënë syrin.

“Kur isha 14 vjeç, bandat e panë se isha i madh dhe e kthyen vëmendjen tek unë. Donin të më korruptonin.”

Prandaj ai u largua...por gjatë udhëtimit të tij 40 ditor i dolën probleme të tjera. Në një tren meksikan të quajtur “The Beast” – Bisha, një grua ishte në rrezik.

“Donin ta përdhunonin. Ajo nuk donte kështu që u hodh nga treni me fëmijën e saj dhe ata i shtypi treni.”

Që nga tetori i vitit të kaluar, 60 mijë fëmijë të pashoqëruar kanë kaluar kufirin amerikan. Zyrtarët llogarisin se numri i tyre do të arrijë në 90 mijë deri nga fundi i këtij shtatori.

Njerëzit që e njohin Brandonin dhe të tjerë si ai thonë se ky nuk është problem migracioni.

“Ata nuk janë refugjatë. Është një mashtrim i madh.”

Brad Botwin është drejtori i Help Save Maryland, një grup kundër imigracionit të paligjshëm.

“Ka disa probleme atje me dhunën; por ka mënyra për ta ndrequr situatën. Jo të vijnë në Shtetet e Bashkuara dhe të arratisen nga problemi.”

Por ndërsa vendet e Amerikës qendrore mundohen të luftojnë dhunën dhe varfërinë, fëmijët vazhdojnë të vijnë.

Një ligj i vitit 2008 lejon që fëmijët nga Amerika qendrore të rrijnë deri sa për ta të hapet një seancë gjyqësore, në vend që të deportohen menjëherë. Bob Dane punon për FAIR – Federatën për Reforma të Imigracionit Amerikan. Ai thotë se qëllimi fillestar i ligjit ishte të mbronte fëmijët që trafikoheshin.

“Fatkeqësisht tani, ligji përdoret si shteg – reklamohet si mjet për të ardhur në Shtetet e Bashkuara. Në të vërtetë, është shtytësi kryesor i migracionit në masë nga Amerika qendrore.”

Kur vijnë fëmijët, ligji i lejon ata të rrinë në qendra paraburgimi dhe pastaj lejohen të kujdesen nga anëtarë të familjes deri sa t’i vijë rradha e gjyqit. Marc Rosenblum i Institutit për Politikën e Migracionit synon që ligji të ndryshojë.

“Ligji nuk lejon një zgjidhje të shpejtë për deportimin e fëmijëve të cilët nuk kanë të drejtë për vizë. Prandaj çelësi është përshpejtimi i procesit të gjyqit.”

Aktualisht, seancat gjyqësore mund të zgjasin deri në dy vjet. Kështu që tani për tani, Brandon është vendosur në Virxhinia me prindërit e tij. Ata jetojnë këtu për më shumë se tetë vjet – si emigrantë pa dokumenta.

XS
SM
MD
LG