Lidhje

Presidenti Obama për avionin malajzian, Rusinë dhe Ukrainën


Presidenti amerikan Barack Obama tha sot se provat e deritanishme tregojnë se avioni i linjës Malaysia Airlines me numër fluturimi 17, që ra dje në Ukrainën Lindore, u rrëzua nga një raketë tokë-ajër S11, e lëshuar nga një zonë e Ukrainës ku veprojnë separatistët pro-rusë. Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Obama i quajti vdekjet e 298 personave që ishin në avion “një mizori me përmasa të pabesueshme". Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Mary Alice Salinas, kjo ngjarje po shkallëzon më tej tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë:

Presidenti Obama tha se është "tërësisht i vendosur" që të gjendet se kush e rrëzoi avionin Boeing 777 mbi Ukrainë, pranë kufirit me Rusinë. Ai i tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, se hetuesit janë duke krijuar një ide më të qartë për ngjarjen:

"Faktet tregojnë se avioni u rrëzua nga një raketë tokë-ajër e hedhur nga një zonë në Ukrainë, që është nën kontrollin e separatistëve të mbështetur nga Rusia."- tha Presidenti.

Vendi ku u rrëzua avioni nuk ishte i sigurtë dhe nuk dihet se kush i ka marrë kutitë e zeza të avionit, me regjistrimet e kabinës së pilotit dhe të dhënat e fluturimit, që do t'i ndihmonin hetuesit të përcaktonin me saktësi se çfarë ka ndodhur.

Ndërsa zoti Obama tha se ende nuk dihen të gjitha faktet, ai akuzoi Rusinë se po vazhdon të mbështesë separatistët në Ukrainën Lindore. Ai i bëri thirrje të gjitha palëve të ndalin luftimet dhe të lejojnë hyrjen e hetuesve në vendin ku u rrëzua avioni:

"Rusia, separatistët pro-rusë dhe Ukraina duhet t'i përmbahen një armëpushimi të menjëhershëm; të mos ndodhë ngatërrimi i të dhënave. …Dhe detyra solemne e kthimit të personave që humbën jetën pranë familjeve të tyre duhet të realizohet menjëherë."

Në avion ndodheshin 298 persona, mes tyre të paktën një amerikan.

SHBA thonë se Presidenti rus Vladimir Putin dhe qeveria ruse kanç lejuar dërgimin e armatimeve të rënda dhe luftëtarëve në Ukrainë.

Gjatë javëve të fundit, Shtetet e Bashkuara kanë thënë se separatistët në rajon, të mbështetur nga Rusia, kanë rrëzuar një avion ukrainas transporti, një helikopter dhe ata thonë se kanë rrëzuar edhe një avion luftarak ukrainas.

"Ajo që ne dimë, - tha Presidenti- është se dhuna që po ndodh atje po ndihmohet, pjesërisht, nga mbështetja e Rusisë, që ka aftësinë t'i japë drejtim tjetër separatistëve".

Rusia mohon se i mbështet rebelët.

Një ditë para rrëzimit të avionit të linjës "Malaysia Airlines", Shtetet e Bashkuara i shtuan sanksionet ndaj qeverisë ruse, të cilat prekin sektorët e mbrojtjes, financave dhe të energjisë.

Sanksionet e reja janë një goditje për ekonominë e dobësuar të Rusisë. Zoti Obama thotë se në një bisedë telefonike të pati të enjten me zotin Putin, ai e bëri të qartë se SHBA do të vendosin sanksione edhe më të ashpëra ndaj Rusisë, në se Moska nuk merr hapa për t'i dhënë fund krizës në Ukrainë.

XS
SM
MD
LG