Lidhje

Javën tjetër, gjetjet e hetimeve mbi raportin Dick Marty


Prokurori Clint Williamson, që drejton hetimet mbi pretendimet e të dërguarit të Këshillit të Evropës, viziton Prishtinën

Në Kosovë autoritetet thanë se janë të gatshme të përballen me hetimet që po kryhen lidhur me pretendimet e të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Marty për trafikim organesh në Kosovë.

Clint Williamson viziton Prishtinën
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:13 0:00

Këto komente u bënë gjatë takimeve që zhvilluan ata me prokurorin Clint Williamson, i cili drejton punën e grupit hetues të ngritur nga Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit.

Zoti Williamson vizitoi Kosovën në prag të shpalljes së të gjeturave të hetimeve të tij të filluara në shtator të vitit 2011, disa muaj pasi që raporti i senatorit zviceran Dick Marty u miratua nga Këshilli i Evropës.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, citohet t’i ketë thënë prokurorit Williamson se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara të bashkëpunojnë me grupin hetues në periudhën në vijim për të forcuar rendin dhe ligjin dhe për të përmbushur detyrimet ndaj drejtësisë vendase e ndërkombëtare. Në një njoftim të zyrës së saj, thuhet se presidentja Jahjaga tha se Parlamenti i Kosovës e ka mbështetur krijimin e gjykatës së posaçme për këtë çështje dhe që në momentin e ngritjes sw institucioneve tw reja do të zbatojnë marrëveshjen e ratifikuar duke bërë ndryshimet e domosdoshme ligjore dhe kushtetuese për krijimin e gjykatës së re. Presidentja Jahjaga tha se ajo është e përcaktuar që qasja e Kosovës ndaj drejtësisë të jetë gjithëpërfshirëse dhe se hetimet që dalin nga raporti i Këshillit të Evropës nuk janë përpjekje për të gjykuar betejën kolektive për liri, por mënyrë për të hetuar krimet e supozuara individuale. Ajo, thuhet në njoftim, e siguroi zotin Williamson se Kosova është e përcaktuar që të përballet me këto akuza në një proces të besueshëm dhe do të përmbush detyrimet e saj me përgjegjësi dhe dinjitet në mënyrë që të përmbyllë këtë kapitull që do të forcojë pozicionin ndërkombëtar të Kosovës.

Edhe zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi, së bashku me Ministrin e brendshëm, Bajram Rexhepi dhe Ministrin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, janë takuar me zotin Williamson duke i ofruar siç thuhet në një njoftim, bashkëpunimin e vazhdueshëm në mbështetje të drejtësisë.

Në një njoftim të zyrës së zotit Williamson thuhet se ai i falënderoi bashkëbiseduesit e tij për bashkëpunimin e tyre të vazhdueshëm me hetimin penal i cili zhvillohet nga grupi hetues dhe i njoftoi ata për hapat e ardhshëm. “Ai nuk ua dha atyre hollësi në lidhje me të gjeturat dhe nënvizoi që këto do të zbulohen në kohën e përshtatshme”.

Ambasadori Williamson pranoi që është i vetëdijshëm për spekulimet gjithnjë në rritje për të gjeturat e hetimeve, por ai nënvizoi që asnjë e dhënë që lidhet me të gjeturat e hetimit nuk do të bëhet e ditur para se të bëhet publikimi i tyre dhe asnjë përfundim nuk duhet të paragjykohet.

Në muajin prill Parlamenti i Kosovës miratoi themelimin e gjykatës së posaçme për krimet e luftës, që do të trajtojë të gjeturat e grupit të posaçëm hetues të drejtuar nga zoti Willamson që pritet të bëhen publike javën e ardhshme.

Gjykata, hollësitë e veprimit të së cilës ende nuk janë të qarta, do të veprojë në kuadër të ligjeve të Kosovës, por pjesa më e madhe e punës së saj do të kryhet jashtë Kosovës, me gjasë në Holandë, ndërsa prokurorët dhe gjykatësit do të jenë ndërkombëtar. Kjo, sipas zyrtarëve ndërkombëtarë, do të ndihmojë mbrojtjen e dëshmitarëve.

Pretendimet e ngritura nga i dërguari i Këshillit të Evropës Dikc Marty në vitin 2010, patën nxitur reagime të zemëruara në Prishtinë ku autoritetet hodhën poshtë pohimet e tilla ndërsa u shprehën të gatshëm të bashkëpunojnë me drejtësinë ndërkombëtare për hetimin e të gjitha pretendimeve. Gatishmërinë për bashkëpunim e kishte ofruar atëbotë edhe Shqipëria për shkak se sipas pretendimeve të ngritura një pjesë e krimeve të dyshuara mund të ishin kryera në territorin e saj.

XS
SM
MD
LG