Lidhje

Vjedhja në Bankën Qendrore, guvernatori në Parlament


Kryetari i Komisionit të Ekonomisë Erion Brace, ka thirrur drejtuesin e Bankës Ardian Fullani për të dhënë informacion lidhur me vjedhjen disa milion dollarëshe nga Thesari

Në Shqipëri, kryetari i komisionit parlamentar të Ekonomisë Erion Brace ka kërkuar paraqitjen nesër në një seancë të posacme, të Guvernatorit të Bankës Qendrore Ardian Fullani, për të dhënë informacion lidhur me vjedhjen disa milion dollarëshe nga Thesari

Mësohet se zoti Brace ka nisur sot një shkresë zyrtare, duke shfrytëzuar hapësirat ligjore që parashikojnë varësinë e Bankës nga Parlamenti, si dhe faktin që Inspektori i Përgjithshëm i Bankës Qëndrore, i cili ka për detyrë pikërisht kontrollin e brendshëm emërohet nga Parlamenti.

Vjedhja në Thesar u denoncua nga vetë Banka, por fakti që punonjësi i saj Ardian Bitraj ka rrëfyer se ka tërhequr para në mënyrë të vazhdueshme për katër vjet me radhë, ka ngritur shumë pikëpyetje për funksionimin e mjaft hallkave dhe strukturave të Bankës.

Për momentin ende nuk dihet shuma e saktë e vjedhur. Bitraj ka folur për një sasi lekësh të barasvlefshme me afër 6 milion dollarë, të cilat ai ka deklaruar se i ka shpenzuar në lojra fati. Një variant që për prokurorët duket se nuk është shumë bindës. Ata kanë urdhëruar verifikimin e pasurive të punonjësit të Bankës si dhe kontrolle në Bankat e nivelit të dytë për të parë nëse ka patur transaksione financiare. Ndërkaq, prokurorët presin që brenda kësaj jave, auditi i Bankës të dorëzojë një raport mbi shumën e saktë të parave të zhdukura.

XS
SM
MD
LG