Lidhje

SHBA, BE, sanksione të reja kundër Rusisë


Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian po vendosin sanksione më të rënda kundër Rusisë për mbështetjen që u jep separatistëve në Ukrainën lindore. Sanksionet u njoftuan dje ndërkohë që ministri i jashtëm i Ukrainës akuzoi Rusinë se po vazhdon të dërgojë luftëtarë dhe armë në anën tjetër të kufirit.

Presidenti Barak Obama thotë se sanksionet e reja të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian kundër sektorit bankar, atij të energjisë dhe të armëve synojnë të rrisin presionin ndaj atyre që po inskenojnë zhvillimet e paligjshme në Ukrainë:

“Këto zhvillime nuk janë të pashmangshme. Rusia, në veçanti Presidenti Putin, e kanë zgjedhur vetë këtë rrugë. Ende ekziston një alternativë më e mirë, ajo e uljes së tensioneve dhe e përfshirjes në diskutime për një zgjidhje diplomatike të situatës”.

Veprimet evropiane janë shumë domethënëse pasi Rusia eksporton në tregjet e BE-së dhe shumë udhëheqës evropianë patën nguruar të merrnin masa.

“Fakti që evropianët, të cilët kanë shqetësime reale, legjitime ekonomike, po shkëpusin disa nga këto lidhje me Rusinë, duke marrë masa të reja presioni, mendoj se tregon se po shterron durimi i Evropës ndaj fjalëve të bukura të Presidentit Putin që nuk përputhen me vepra”.

Por Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se sanksionet nuk do ta arrijnë dot synimin:

“Ju garantoj se do t’i kapërcejmë vështirësitë që do të hasim në disa sektorë ekonomikë dhe ndoshta do të dalim më të pavarur dhe me më shumë vetëbesim në fuqinë tonë”.

Ndërkaq, luftimet në Ukrainën lindore vazhdojnë. Shtetet e Bashkuara thonë se imazhet satelitore tregojnë artileri ruse duke qëlluar drejt Ukrainës. Rusia i ka hedhur poshtë këto akuza.

Gjatë një vizite dje në Uashington, Ministri i Jashtëm i Ukrainës Pavlo Klimkin i tha Sekretarit të Shtetit John Kerry se forcat ukrainase nuk janë përgjigjur kurrë me zjarr.

"Ka pasur plot raste kur terroristët janë përpjekur të pozicionohen pranë kufirit dhe të qëllojnë në drejtim të forcave ukrainase. Ne tregohemi shumë të rezervuar dhe përpiqemi të mos qëllojmë për të mos i provokuar dhe për të mos cënuar detyrimet tona ndaj ligjit ndërkombëtar. Pra të gjitha njoftimet se ne jemi përgjigjur me zjarr janë të pavërteta”.

Sekretari Kerry fajësoi Rusinë për vazhdimin e konfliktit:

“Megjithëse rusët kanë thënë se duan të qetësojnë situatën, veprimet e tyre nuk tregojnë asnjë dëshmi se kanë një dëshirë të vërtetë për të ndalur dhunën dhe gjakderdhjen. Si rezultat, separatistët e mbështetur nga Rusia nuk pranojnë të ulin armët dhe të angazhohen në procesin politik”.

Sekretari Kerry tha se po punon intensivisht për të gjetur një zgjidhje politike për ato që i cilësoi si “interesa legjitime” të Rusisë në Ukrainë lidhur me pakicat ruse dhe të ardhmen ekonomike të vendit.

XS
SM
MD
LG