Lidhje

Rezultate në përpjekjet ndaj Ebolës


Një amerikane e prekur nga ebola, ndërsa ndihmonte pacientët në Liberi, mbërriti për trajtim në Shtetet e Bashkuara. Ajo është punonjësja e dytë amerikane e ndihmave që infektohet gjatë përhapjes së virusit ebola në Afrikën Perëndimore.

Një burrë i kthyer së fundmi nga rajoni po testohet për virusin në një spital të qytetit të Nju Jorkut.

Me përhapjen e virusit në Afrikën Perëndimore e gjetkë, qeveritë dhe zyrtarët e shëndetësisë në mbarë botën po paralajmërojnë publikun se kërcënimi nga ebola është real.

Zëri i Amerikës foli përmes Skype me infermieren Marion Sabah në kryeqytetin Monrovia të Liberisë. Ajo po u mëson punonjësve të shëndetësisë dhe komunteteve lokale se si të vetmbrohen.

"Po përpiqemi të theksojmë rendësinë për të njoftuar sa më parë kur dikush është i sëmurëdhe kjo është pjesë e ndërgjegjësimit në komunitete."

Qeveritë e Afrikës Perëndimore kanë përdorur rrjetet sociale, median dhe internetin për të informuar publikun rreth virusit. Bizneset kanë vendosur kova me ujë dhe mjete sanitare. Shtrengimi i duarve është dekurajuar dhe njerëzit po lajmërojnë departamentet e duhura për të marrë trupat e vdekur. Infermierja Sabah thotë se fushata po tregon rezultate. Shumë pacientë po kurohen dhe vdekshmëria është më e vogël nga ç’pritej.

Por drejtuesit e biznesit thonë se përhapja e virusit që ka lënë 900 viktima në rajon, do të ketë efekt në ekonomi.

"Nuk duhet harruar se ebola nuk është e vetmja sëmundje në vend. Kemi malarjen, dizanterinë, kolerën dhe të moshuarit që sëmuren dhe vdesin. Tani shumë spitale janë mbyllur, sistemi i kujdesjes shëndetësore është i rënduar dhe këto rrjedhimisht do të ndikojnë tek ekonomia e vendit."

Udhëheqësit afrikan që po takohen këtë javë në Uashington, kanë kërkuar ndihmën e vendeve perëndimore. Banka Botërore ka premtuar deri në 200 milion dollarë në përpjekjet për bllokimit të përhapjes së virusit.

"Sapo njoftuam se Banka Botërore do të grumbullojë deri 200 milion dollarë për të mbështetur Guinenë, Liberinë dhe Sierra Leonen në përpjekjet e tyre kundër ebolës. Këto para do të përdoren për mbështetjen bazë si medikamentet, punonjësit dhe do të ndihmojë njerëzit me probleme ekonomike si rezultat i epidemisë."

Ebola transmetohet si rezultat i kontaktit me lëngjet trupore, dhe njerëzit që jetojnë ose kujdesen për pacientët e infektuar kanë rrezikshmëri të madhe për infektim. Ekspertët thonë se virusi nuk përhapet përmes ajrit.

XS
SM
MD
LG