Lidhje

Laborator për kursim të energjisë në ndërtesa


Pjesa më e madhe e energjisë elektrike në SHBA konsumohet në ndërtesa dhe sektori i ndërtimeve ka rritjen më të shpejtë, por deri kohët e fundit, vendi nuk ka pasur një qendër për testimin e teknologjive të reja që synojnë rritjen e efikasitetit të përdorimit të energjisë. Kjo ka ndryshuar me hapjen e një laboratori të ri në Kaliforni, që vlerëson efikasitetin e metodave të ndërtimit dhe materialeve të reja.

Në shumë ndërtesa, dritaret dhe muret nuk janë të izoluara mirë, sistemet e ngrohjes dhe ajrit të kondicionuar janë joefikase dhe ndriçimi është i pamjaftueshëm. Sipas Këshillit amerikan për Ndërtesat e Gjelbra (USGBC), ndërtesat përbëjnë 36 për qind të përdorimit të përgjithshëm të energjisë në vend dhe krijojnë 30 për qind të gazrave që shkaktojnë efektin serë.

Teknologjitë për uljen e këtyre shifrave ekzistojnë, por efektiviteti i tyre është i vështirë të matet për shkak se kjo mund të bëhet vetëm në kushte reale.

Përveç provave për çdo element, është e rëndësishme të vlerësohet se si punojnë ata së bashku, thotë drejtoresha ekzekutive e laboratorit të ri “Flexlab” të Departamentit të Energjisë, Cindy Regnier, e cila foli përmes Skype-t.

"Po vlerësojmë sistemet e integruara, në vend që të shohim vetëm një përbërës, si sistemi i ajrit të kondicionuar. Ne po testojmë kombinimin e elementëve, si për shembull ndriçimin me dritaret dhe perdet."

Flexlab ka katër qendra testimi, ku shkencëtarët mund të krahasojnë e efikasitetin e metodave të ndryshme. Një nga qendrat mund të rrotullohet deri në 270 gradë për të studiuar teknologjitë nën orientime të ndryshme ndaj diellit.

Kamerat e drejtuara nga dritaret dhe muret po ndihmojnë shkencëtarët të vlerësojnë efikasitetin energjitik të materialeve të reja.

Zonja Regnier thotë se puna që po bëhet në Flexlab mund të kursejë miliarda dollarë.

"Një projektim i mirë-integruar i ndërtesave mund të arrijë deri në 50% kursim të energjisë gjatë përdorimit të zakonshëm. Kjo vlen si për ndërtesat ekzistuese ashtu dhe për ndërtimet e reja."

Laboratori Flexlab do të bashkëpunojë me të gjitha grupet e interesuara për përmirësimin e efikasitetit të energjisë: nga arkitektë dhe ndërtues, tek projektues dhe prodhues të materialeve të reja, apo pronarë të kompanive të ndërtimit dhe financues të kërkimeve shkencore.

Një faktor tjetër i rëndësishëm do të jetë pranimi i këtyre sistemeve nga banorët, kështu që disa prova do të kryen duke përfshirë njerëz që do të kalojnë kohë në objektet testuese.

"Një nga provat që po kryejmë tashmë me kompanitë Webcor dhe Genentech përfshin banorë të cilët do të mund të provojnë teknologjitë për disa javë për të kuptuar se si funksionojnë dhe kjo është me rëndësi," thotë zonja Regnier.

Sipas saj, testet e kryera në Flexlab do të ofrojnë vlerësime të përdorimit të energjisë në ndërtesa, përpara se ato të ndërtohen, duke kursyer kohë, para dhe energji.

XS
SM
MD
LG