Lidhje

Obama: Irakianët të bashkohen në luftën kundër militantëve islamikë


Presidenti amerikan Barak Obama thotë se është jetike për irakianët që të bashkohen për të luftuar kryengritjen islamike që tani kërcënon pjesët veriore dhe perëndimore të vendit.

Presidenti Obama dje u tha gazetarëve se administrata e tij beson se qeveria e re që do të formohet në Bagdad duhet të punojë me shpejtësi për të bashkuar komunitetet e ndryshme të Irakut. Ai u bëri thirrje atyre që po punojnë për formimin e qeverisë së re që të bashkohen në mënyrë paqësore rreth qëllimit për eliminimin e rrezikut nga militantët islamikë të ISIL-it të cilët kanë pushtuar pjesën më të madhe të vendit dhe janë ndeshur me pak rezistencë.

Presidenti Obama theksoi se Shtetet e Bashkuara kohët e fundit kanë kryer sulme ajrore në mbështetje të luftëtarëve kurdë dhe refugjatëve në Irakun verior. Ai tha se avionët amerikanë vazhdojnë të jenë në gjendje gatishmërie për të sulmuar ekstremistët të cilët po përpiqen të krijojnë një kalifat në rajonin e madh që ata tani e kontrollojnë.

Ligjvënësi i Irakut Haider al-Abadi është emëruar për formimin e një qeverie të re në Bagdad. Presidenti Obama tha se ai dhe nënpresidenti Joe Biden i kanë telefonuar zotit Abadi më parë gjatë ditës për t’i shprehur atij mbështetjen e tyre.

Presidenti i ri i Irakut Fouad Massoum zgjodhi zotin Abadi, nënkryetar i parlamentit, për të udhëhequr vendin shkatërruar nga lufta. Ai u emërua nga koalicioni kryesor shiit i Irakut, Aleanca Kombëtare, e cila refuzoi emërimin e Nuri al-Malikit për një mandat të tretë si kryeministër. Zoti al-Maliki ka sfiduar thirrjet e komunitetit suni, kurdëve dhe disa shiitëve të tjerë për t’i lënë vendin nje figure më pak polarizuese.

XS
SM
MD
LG