Lidhje

Obama paralajmëron militantët e Shtetit Islamik


Shtetet e Bashkuara po përgatiten për zgjerimin e përpjekjeve për luftimin e grupit Shteti Islamik. Zyrtarët thonë se Uashingtoni do të bëjë gjithshka që është e nevojshme për të mbrojtur qytetarët amerikanë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jeff Seldin njofton nga Pentagoni.

Në ditën, kur Shtetet e Bashkuara filluan sulmet ajrore në Irbil të Irakut verior, kundër grupit Shteti Islamik, Presidenti Barak Obama lëshoi një paralajmërim për anëtarët e tij.


"Amerika nuk harron, ne kemi aftësi të mëdha. Ne jemi të durueshëm. Drejtësia do të vihet në vend".

Komentet e Presidentit i referohen edhe ekzekutimit brutal të gazetarit të rrëmbyer amerikan James Foley nga Shteti Islamik.

Duke marrë parasysh përparimet e këtij grupi në Sirinë fqinje, Presidenti Obama thotë se sfida është e qartë.

"Çrrënjosja e një kanceri si grupi ISIL nuk do të jetë e lehtë ose i shpejtë".

Shtetet e Bashkuara deri më tani kanë kryer rreth 60 fluturime vëzhgimi në ditë mbi Irak, disa prej tyre kanë vëzhguar përtej kufirit në Siri. Tani, zyrtarët e administratës thonë se Presidenti Obama ka autorizuar fluturime të ngjashme mbi vetë Sirinë.

Zyrtarët janë të heshtur rreth sinjaleve se Shtetet e Bashkuara po përgatiten për fillimin e sulmeve ajrore kundër Shtetit Islamik në Siri.

Por zëdhënësi i Pentagonit, Admirali John Kirby thotë se forcat amerikane do të jenë gati për hapat e ardhshëm.

"Ne duhet të jemi të gatshëm për veprimet që duhet të ndërmarrim për të mbrojtur qytetarët amerikanë brenda dhe jashtë vendit, dhe kufijtë gjeografik nuk do të na pengojnë për kryerjen e misionit tonë".

Zyrtarët amerikanë thonë se Shteti Islamik është një kërcënim rajonal me aspirata globale. Përveç kryerjes së sulmeve ajrore në Irak, përpjekjet e Shteteve të Bashkuara janë përqendruar në forcimin e forcave irakiane dhe kurde. Dhe të martën, disa vende të tjera ranë dakord të ndihmojnë në intensifikimin e armatosjes së forcave kurde që po luftojnë kundër Shtetit Islamik në Irakun verior dhe përëndimor.

Këto përpjekje nuk kanë kënaqur zyrtarët irakianë dhe ata kurdë. Presidenti i rajonit të Kurdistanit në Irak tha se Irani ishte vendi i parë që ofroi ndihma ushtarake për kurdët.

Grupet e moderuar në Siri, që po luftojnë kundër regjimit të presidentit Bashar al-Asad dhe Shtetit Islamik, gjithashtu janë duke pritur për fillimin e zbatimit të një programi amerikan për trajnimin dhe armatosjen e tyre.

XS
SM
MD
LG