Lidhje

Në prag të takimit të Natos


Udhëheqësit e 28 vendeve të Natos do të mblidhen për herë të parë në dy vjet të enjten në Wales, në perëndim të Britanisë, me një axhendë shumë ndryshe nga ajo që kishin në takimin e tyre të fundit të nivelit të lartë.

Kur udhëheqësit e NATO-s u takuan herën e fundit në Çikago, Afganistani ishte në krye të axhendës së tyre dhe Rusia konsiderohej një partnere në zgjidhjen e çështjeve si terrorizmi dhe ndalimi i përhapjes së armëve bërthamore. Këtë vit, përgjigja ndaj aneksimit të Krimesë nga Rusia dhe pushtimi i Ukrainës lindore do të jetë në krye të axhendës.

Aleanca përballet me “një botë të ndryshuar” sipas sekretarit të përgjithshëm të Natos, Anders Fogh Rasmussen.

"Përballemi me realitetin ku Rusia na konsideron armiq dhe ne do të përshtatemi me këtë situatë."

Kjo do të thotë një prani më e madhe ushtarake e Natos në vendet anëtare pranë Rusisë, si këto trupa në Lituani dhe një forcë e re e strukturuar për të sulmuar fort dhe në përgjigje të shpejtë ndaj një sulmi mbi një vend anëtar. Por NATO e ka bërë të qartë se nuk do të shkojë në luftë me Rusinë për të mbrojtur vendet jo-anëtare si Ukraina – duke hequr një vijë të kuqe që Xenia Wickett e organizatës Chatham House në Londër thotë se mund të jetë kundër-produktive.

"Një nga gjërat që do të jetë interesante jo vetëm në takimin e nivelit të lartë por më gjerë është nëse NATO-ja do të përpiqet të jetë më elastike me vijat e kuqe në të ardhmen, që aktualisht do t’i jepnin më shumë liri për të vepruar, por gjithashtu do të bënte armiq potencialë pak më të drojtur për të vepruar, pasi nuk e dinë se kur do të ketë një përgjigje të fortë."

Udhëheqësit e NATOs do të diskutojnë gjithashtu përgjigjen ndaj krëcënimit të grupit Shteti Islamik që ka marr pjesë të Irakut dhe Sirisë dhe ka terrorizuar banorët vendas dhe të huajt. Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë bombardime kundër këtij grupi. Shtetet e Bashkuara dhe anëtarët e NATO-s kanë dhënë ndihma humanitare.

Afganistani do të vazhdojë të jetë njëra nga temat, ndërsa forcat talebane po bëhen më të sigurta në terren. Misioni luftarak i NATOs atje do të përfundojë në dhjetor, dhe zyrtarët kanë nevojë për miratimin përfundimtar të një marrëveshjeje mbi të ardhmen e një force këshilluese dhe të trajnimit.

Vetëm disa muaj më parë, kishte pikëpyetje mbi rëndësinë e NATO-s në botën e pas luftës së ftohtë. Këto pikëpyetje tashmë janë shuar, thotë drejtori i organizatës Chatham House, Robin Niblett.

"Ky është një takim në të cilin të gjithë anëtarët e NATO-s dhe partnerët e tyre duhet të ngrihen dhe të fillojnë të komunikojnë mes tyre dhe me publikun. Kjo është një botë e rrezikshme dhe kjo aleancë ka një synim."

Ekspertët dhe drejtuesit e NATO shpresojnë se pamje televizive si kjo nga Ukraina kanë bindur njerëzit në vendet e aleancës të caktojnë më shumë fonde për mbrojtjen, për të financuar kapacitetet e përgjigjeve të shpejta duke përballuar kërcënimet e reja në Evropë dhe Amerikën e Veriut.

XS
SM
MD
LG