Lidhje

Inspektorja e BSH refuzon parlamentin


Në Shqipëri Inspektorja e Përgjithshme e Bankës së Shqipërisë Elivar Golemi nuk u paraqit sot në seancën dëgjimore të thirrur nga komisioni parlamentare i Ekonomisë, duke shpjeguar se ajo nuk ka kompetencë të përfaqësojë Bankën. Ky veprim u cilësua si një akt i paprecedent nga kryetari i komisionit Erion Brace. Ai i dërgoi një tjetër ftesë zonjës Golemi, duke e paralajmëruar se po konsumonte një prej pikave që parashikojnë shkarkimin e saj nga parlamenti.
Inspektorja e BSH refuzon parlamentin
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:17 0:00
Vetëm pak përpara se Komisioni i Ekonomisë të niste seancën dëgjimore me Inspektoren e Përgjithshme të Bankës së Shqipërisë, Elivar Golemi, kjo e fundit përmes një shkrese njoftoi mospjesmarrjen e saj, për shkak se sic shkruante, ajo nuk kishte kompetencë të përfaqësonte Bankës e Shqipërisë, ndërkohë që shtonte se ishte e gatshme t’i përgjigje me shkrim pyetjeve të deputetëve.
Vendimi i zonjës Golemi coi në një reagim të fortë të kryetarit të Komisionit Erion Brace dhe anëtarëve të tjerë të së majtës. Sipas zotit Brace, qëndrimi i Inspektores përfaqësonte “Një linjë konstante sjelljeje në gjithë hierarkinë drejtuese të Bankës së Shqipërisë. Do të doja të sillja në vëmendje bashkëngjitur me këtë fakt, se Banka e Shqipërisë është banka e Shtetit shqiptar, nuk është bankë private, e aq më keq akoma nuk është një sulltanat, ku gjithsecili zgjedh të refuzojë apo të përgjigjet ku të dojë ai, jo ku kërkon dhe përcakton qartësisht ligji. Ky është një akt shumë i rëndë, i paprecedent, i pandodhur në 23 vite në parlamentin e Shqipërisë dhe cënon shumë rëndë atributet e parlamentit në raport me Bankën e Shqipërisë”.
Seanca e sotme është e para e një serie dëgjesash që Komisioni ka planifikuar edhe me anëtarët e tjerë të Këshillit Mbikqyrës për të analizuar veprimtarinë administrative të Bankës, pas skandalit të vjedhjes së afër 7 milion dollarëve. Inspektorja e Përgjithshme e cila ka për detyrë të ushtrojë kontrolle kontabël dhe kontrolle periodike për administrimin dhe operacionet e Bankës, emërohet nga parlamenti dhe sipas ligjit ky është dhe i vetmi institucion që mund ta shkarkojë.
Zoti Brace tha se me refuzimin e zonjës Golemi për t’u paraqitur në komision “jemi para konsumimit të njërës prej pikave të nenit 47 që shërben edhe si kusht për të shkartuar Inspektorin e Përgjithshëm të Bankës së Shqipërisë. Pikës që bën fjalë për shkeljen e rëndë të etikës dhe interesave të Bankës së Shqipërisë. Të dyja janë konsumuar gjatë veprimtarisë së Inspektorit të Përgjithshëm dhe sot me refuzimin jo etik, dhe natyrisht jo ligjor, të Komisionit të Ekonomisë”.
Këtë element zoti Brace ja përmend zonjës Golemi dhe në shkresën e dytë që ai i nisi sot ku e fton sërish që të jetë e pranishme në komision gjatë ditës së nesërme. Por në një reagim të saj Inspektorja e Përgjithshme deklaroi se ka përmbushur te gjithë detyrat dhe se ajo ka raportuar përpara Këshillit Mbikqyrës, ndërsa i mëshon sërish faktit se është e gatshme të përgjigjet vetëm me shkrim.
Paralelisht me analizën mbi situatën në Bankën e Shqipërisë nga ana e Komisionit, anëtaret e Këshillit Mbikqyrës, do të duhet të përgjigjen, duke nisur që nga e premtja, edhe përpara prokurorëve që po hetojnë mbi vjedhjen që ka ndodhur përgjatë afër katër vitesh brenda në Bankë.
XS
SM
MD
LG