Lidhje

Kerry: Egjipti në vijën e kërcënimeve terroriste


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry u takua me udhëheqësit egjiptian të shtunën në përpjekjet e tij për të ndërtuar një koalicion ndërkombëtar kundër militantëve të Shtetit Islamik.

Sekretari Kerry thotë se Egjipti është në vijën e kërcënimeve ekstremiste, veçanërisht në Gadishullin Sinai ndaj edhe administrata e presidentit Obama miratoi muajin e kaluar dërgimin e helikopterëve Apache, dërgesë e bllokuar kjo si rezultat i shqetësimeve mbi të drejtat e njeriut. Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit thotë se ka patur kontakte mes grupit terrorist egjiptian Ansar Bayt al-Maqdis dhe Shtetit Islamik. Sekretari Kerry thotë se ky kërcënim kërkon reagime të koordinuara.

“Në botën e sotme të globalizmit, është vetëm çështje kohe para se kërcënimi i terrorizmit diku bëhet kërcënim kudo. Kjo duket qartë në rastin e Shtetit Islamik. Është një organizatë, brutaliteti i së cilës dhe ligësia totale nuk njeh kufinjë.”

Pas bisedimeve me zotin Kerry, Ministri i Jashtëm i Egjiptit Sameh Shoukri tha se sherbimet egjiptiane të sigurisë po vëzhgojnë marrëdhëniet mes ISIL dhe terroristëve të brendëshëm.

Zoti Shoukri thotë se këto organizata ndajnë një ideologji dhe një vizion të përbashkët. Ai thotë se i vetmi ndryshim janë taktikat për të mundur idenë e shtetit kombëtar në mënyrë që ideologjitë e tyre ekstremiste mund të mbizotërojnë.

Sekretari Kerry thotë se Egjipti ka një pozitë unike për të ndihmuar në luftën kundër intoleracës.

“Si një kryeqytet i itelektit dhe kulturës së botës myslimane, Egjipti ka një rol kritik për të luajtur duke hequr dorë publikisht ndaj ideologjisë që përhap ISIL.”

Zoti Kerry falenderoi presidentin egjiptian Abdel Fattah al-Sisi për ndërmjetësimin e armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit në Gaza dhe shprehu shpresën se të dy palët së shpejti do të rikthehen në Kajro për punuar lidhur me shkaqet themelore të dhunës atje.

Sekretari Kerry thotë se ai dhe presidenti al-Sisi po ashtu diskutuan tranzicionin që po bën Egjipti drejt demokracisë dhe nevojën për zgjedhje parlamentare. Presidenti u zgjodh përmes votimeve që erdhën pas grushtit të shtetit të tij kundër udhëheqësit të parë të zgjedhur në rrugë demokratike Mohammed Morsi.

“Shtetet e Bashkuara duan që kjo qeveri të ketë sukses sepse ka rendësi për rajonin, për të gjithë egjiptianët dhe padyshim është e rendësishme për botën. Egjipti është shtet aleat dhe një partner i rendësishëm për sigurinë rajonale.”

I pyetur nëse administrata e presidentit Obama po heq dorë lidhur me shqetësimet për të drejtat e njeriut duke lejuar dërgesën e helikopterëve Apache në shkëmbim të ndihmës së Egjiptit për të luftuar terrorizmin, zoti Kerry tha se Kajro është në dijeni të shqetësimeve të Ushingtonit.

“Të jemi të qartë: Shtetet e Bashkuara asnjëherë nuk shkëmbejnë shqetësimet për të drejtat e njeriut për asnjë objektiv tjetër.”

Zoti Kerry tha se qeveria e zotit al-Sisi po punon për një numër gjërash që lidhen me këto shqetësime, duke thënë se duhet parë se si do të zhvillohen gjërat në muajt dhe ditët që vijnë.

XS
SM
MD
LG