Lidhje

Lista Serbe, jo pjesë e koalicionit


Deputetët e Listës serbe në Parlamentin e Kosovës thanë se nuk do të jenë pjesë e asnjë qeverie në të cilën do të ishte e përfshirë edhe lëvizja Vetëvendosje.
Ky vendim u bë publik pas vizitës në Beograd të pjesëtarëve të Listës serbe e cila përfaqësohet me nëntë deputetë në Parlamentin e Kosovës. Shefi i zyrës serbe për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, tha se Lista serbe nuk do të mbështesë grupe të skajshme apo parti që punojnë hapur kundër interesave të serbëve siç është Lëvizja Vetëvendosje.
Lista serbe kishte mbështetur bllokun e krijuar nga Lidhja Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, por ndryshoi qasjen pasi qe këtij blloku ju bashkua lëvizja Vetëvendosje, meqë në marrëveshjen e këtyre partive për koalicion, parashihej që Vetëvendosje të merrte udhëheqjen e bisedimeve me Serbinë.
Të enjten mbahet seanca e parlamentit të Kosovës ku do të duhej të zgjidhej kryetari i Parlamentit, që është kusht për ndërtimin e institucioneve në bazë të rezultatit të zgjedhjeve të tetë qershorit. Por, tash për tash nuk ka asnjë shenjë të ndonjë marrëveshjeje që do të nxirrte vendin nga ngërçi politik në të cilin ndodhet që nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare te tetë qershorit.
XS
SM
MD
LG