Lidhje

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga flet për gjendjen në vend


Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga thotë se do t'i vazhdojë takimet me të gjithë liderët e subjekteve politike parlamentare derisa të gjehet një zgjidhje, e cila do t’i hapë rrugën themelimit të institucioneve të vendit. Në një intervistë në Nju Jork me gazetarin e Zërit të Amerikës Julian Zyla ajo tha se zgjidhja duhet të mos jetë e imponuar por të burojë nga vetë të zgjedhurit e popullit.

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga flet për gjendjen në vend
please wait

No media source currently available

0:00 0:08:52 0:00

Zëri i Amerikës: Para se të niseshit për këtu në Shtetet e Bashkuara ju nisët një seri takimesh me partitë politike për të gjetur një zgjidhje për ngërçin politik në vend. Si mendoni se do të zgjidhet kjo situatë?

Presidente Jahjaga: Takimi me liderët e partive politike parlamentare është në kuadër të përpjekjeve tona për të lehtësuar diskutimet dhe për të kërkuar mënyra për të dalë nga kjo situatë. Takimi i parë ishte kryesisht që të dëgjoja nga të gjithë liderët, nga të gjitha subjektet politike, se si ata e shohin këtë rrugë përpara deri në themelimin e institucioneve të vendit. Të gjitha veprimet do të jenë veprime kushtetuese, gjithsesi duke u respektuar pavarësia e Kuvendit dhe të gjitha zgjidhjet janë përbrenda Kuvendit të Kosovës dhe midis deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Unë patjetër që do t’i vazhdoj takimet e mia me të gjithë liderët e të gjitha subjekteve politike parlamentare derisa të gjehet një zgjidhje, e cila do t’i hapë rrugën themelimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe pas themelimit të Kuvendit derisa të hapet rruga për krijimin e të gjitha institucioneve të tjera të vendit.

Zëri i Amerikës: Zonja Presidente, cili mendoni se është roli i institucionit tuaj në këtë rast? A mendoni se mund të ofroni ju një zgjidhje?

Presidente Jahjaga: E rëndësishme është që ftesa u pranua dhe u mirëprit nga të gjithë liderët dhe nga të gjitha subjektet politike dhe erdhën në takim në zyrën time. E rëndësishme është që të gjitha partitë politike treguan gatishmërinë dhe vullnetin që të bisedojnë hapur për të gjitha çështjet dhe u tregua vullneti dhe gatishmëria që të gjehet zgjidhje për të gjithë këtë proces. Roli im është rol kushtetues në garantimin e funksionimit demokratik të institucioneve, duke u respektuar pavarësia e institucionit të Kuvendit, duke u respektuar vota e qytetarëve. Siç thashë, zgjidhja është brenda vetë Kuvendit të Kosovës, brenda vetë deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe duhet të jetë një zgjidhje e paimponuar dhe që buron nga vetë të zgjedhurit e popullit, në këtë rast nga deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, dhe një zgjidhje e cila nuk është e ndikuar nga jashtë. Unë shpresoj që sa më parë që është e mundur ne të kemi vendosjen e institucioneve në vend sepse kjo do të kontribuojë tek proceset afatgjata të shtetit tonë, sepse kjo na ka hije.

Zëri i Amerikës: Situata aktuale ka nxitur diskutime edhe për mundësinë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në vend. Si mendoni se do të mund të shmangeshin këto zgjedhje, apo mendoni se janë të pashmangshme?

Presidente Jahjaga: Ne kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe një kuadër kushtetues që na obligon të gjithëve të gjejmë zgjidhje, të cilat duhet të shmangin zgjedhjet në vend. Unë konsideroj se vendi ynë është në një moment apo një fazë jashtëzakonisht të rëndësishme – kur kemi hyrë në procese me Bashkimin Evropian dhe me organizata të tjera ndërkombëtare – e cila nuk favorizohet nga çdo vonesë e çdo pengesë në këtë proces. Gjithashtu, të gjitha proceset tona të brendshme nuk duhet të jenë peng të këtyre zhvillimeve, pasi ne na pret një angazhim jashtëzakonisht i madh dhe të gjitha këto vonesa nuk kontribuojnë në proceset afatgjata të shtetit tonë. Mund të them se ne nuk kemi as kohë por nuk kemi as resurse që të mund të kemi zgjedhje të njëpasnjëshme, sepse kjo nuk do t’i kontribuonte proceseve afatgjata të shtetit.

Zëri i Amerikës: Duke folur pikërisht për këto procese të rëndësishme që ju përmendët, Kosovën e presin disa prej tyre, si bisedimet me Serbinë, për shembull, dhe krijimi i Gjykatës së posaçme. Cila është gjendja politike lidhur me këto çështje?

Presidente Jahjaga: Gjithçka që po ndodh është një proces politik, është një proces demokratik apo një proces i demokracisë dhe një proces i pjekurisë e maturisë sonë politike. Them se duhet të mësohemi që t’i respektojmë procedurat ligjore, duhet të mësohemi të respektojmë pavarësinë e institucioneve, duhet të mësohemi që të kemi dhe të nxisim debat brenda forcave politike dhe duhet të mësojmë që vetë t’i gjejmë zgjidhjet dhe ato zgjidhje të mos jenë të imponuara por të jenë zgjidhje që duhet të përkrahen nga pjesa më e madhe dhe që na përkasin vetëm neve. Siç thatë dhe ju, ne kemi marrë shumë obligime dhe detyrime të cilat kërkojnë një konstituim sa më të shpejtë të institucioneve dhe këto obligime dhe këto detyrime ne duhet t’i përmbushim në kornizat dhe afatet kohore të parapara. Sepse ne jemi një rrëfim i suksesit, i një pune të përbashkët të institucioneve Kosovës, të qytetarëve të Kosovës dhe të bashkësisë ndërkombëtare. Dhe ky sukses duhet të promovohet duke e dëshmuar edhe në proceset e mëtejshme të konstituimit të institucioneve.

Zëri i Amerikës: Zonja Presidente, ditët e fundit policia e Kosovës ka kryer disa arrestime mbi dyshime për pjesëmarrje të qytetarëve të Kosovës në luftërat në Lindjen e Mesme, ku aktualisht thuhet se mund të jenë mbi 100 qytetarë të Kosovës. Çfarë mendoni se do të thotë kjo përfshirje për Kosovën?

Presidente Jahjaga: Për muaj me radhë ne kemi shprehur brengën tonë për pjesëmarrjen e qytetarëve të Kosovës në luftën në Siri. Po ashtu, siç është parë edhe prej veprimeve të fundit të një koordinimi jashtëzakonisht profesional të mekanizmave të sigurisë së Kosovës, janë marrë masa për parandalimin e këtyre aktiviteteve ekstremiste. Kosova është një shtet që tani vetëm sa ka filluar të marrë hapa konkretë sa i përket parandalimit të këtyre dukurive negative dhe shoqëria jonë është një shoqëri e cila është e orientuar drejt proceseve integruese. Rinia e Kosovës, që unë konsideroj se është pasuria më e madhe e shtetit tonë, është e orientuar drejt proceseve integruese dhe ne duhet që sa më shumë që është e mundur të fuqizojmë rininë tonë dhe institucionet tona që të promovojnë vlerat të cilat ne i kemi promovuar me dekada e shekuj me radhë. Kjo është ajo që na përket ne si shtet dhe ne si institucione dhe si qytetarë të Kosovës. Nuk ka më shumë se 15 vjet që kemi tejkaluar luftën, e cila ka lënë pasoja jashtëzakonisht të mëdha, dhe pjesëmarrja e qytetarëve tanë në një luftë tjetër kurrsesi nuk i kontribuon Kosovës. Kosova asnjëherë nuk ka qenë dhe nuk do të jetë strehë e këtyre dukurive të cilat jo vetëm që po dëmtojnë imazhin e Kosovës, por edhe po destabilizojnë Kosovën, vendet e tjera të rajonit dhe aleatët tanë strategjikë. Kosova asnjëherë nuk do të jetë strehë e këtyre dukurive dhe nuk do të jetë vend tranzit i këtyre elementëve. Kosova ka një të ardhme të qartë që është ajo e proceseve të integrimeve evropiane dhe euro-atlantike.

Zëri i Amerikës: Çfarë mendoni se i nxit njerëzit për përfshirje të tilla në luftërat në Lindjen e Mesme?

Presidente Jahjaga: Këtu kemi të bëjmë me një numër të vogël individësh apo grupesh të veçuara, që për çështje apo për aspekte të ideologjisë, apo për shkak të të mos pasurit të një perspektive për të ardhmen apo për shtytje të tjera anësore vendosin që t’i bashkangjiten një lufte. Ne si shtet, përveç masave të parandalimit, si këto të javëve të fundit të realizuara nga mekanizmat e sigurisë, duhet të orientohemi drejt krijimit të bazave të qëndrueshme të zhvillimit të mirëfilltë të vendit, që është kryesisht zhvillimi ekonomik. Por kjo kërkon edhe reforma të thella përbrenda shtetit, veçanërisht reforma në arsim dhe reforma për stimulimin e investimeve të huaja, në mënyrë që t’i jepen mundësi të rinjve tanë që të ardhmen e tyre ta orientojnë drejt zhvillimit të vendit.

XS
SM
MD
LG