Lidhje

Problemet ekonomike të Hong Kongut


Ndërkohë që protestat në Hong Kong po hyjnë në javën e dytë, shkaqet për këtë revoltim publik nuk përfshijnë vetëm shqetësimet për përfaqësim më të madh në zgjedhje, por edhe mundësitë ekonomike. Korrespondenti Bill Ide njofton nga Pekini:

Vitaliteti ekonomik i Hong Kongut si një qendër globale financiare dhe roli i tij si pikë për hyrje në Kinë prej kohësh kanë krijuar përshtypjen se çdo gjë shkon mirë në këtë qytet-port. Por megjithëse fuqia financiare e ishullit është rritur që pasi Britania i dha fund administrimit të tij, është rritur edhe hendeku mes të pasurve dhe të varfërve.

Hendeku i të ardhurave është ndër më të thellët në botën e zhvilluar. Cmimi i pasurive të patundëshme është ndër më të lartët në botë dhe pagat nuk po arrijnë të përballojnë rritjen galopante.

Dickson, një protestues 18-vjeçar thotë se qeveria nuk e di sa keq janë gjërat:

“Ata nuk e kuptojnë se në lagjen Mong Kok qeraja është shumë e lartë. Kush e shkakton këtë? Qeveria dhe kompanitë private të ndërtimit. Ata bashkëpunojnë dhe qeratë rriten”.

Hong Kongu dikur njihej si një vend ku njerëzit ushqenin ëndrra për të krijuar pasuri. Miliarderi Li Kai-shing, i njohur si personi më i pasur në Azi, personifikon historinë e individit që ngrihet nga hiçi dhe bëhet shumë i pasur, thotë analisti Francesco Sisci pranë Institutit Gatestone.

“Tani të pasurit vazhdojnë të jenë të pasur, por të varfrit dhe klasa e mesme kanë mbetur të varfër dhe klasë e mesme. Nuk ka ngritje nga një klasë në tjetrën. Shumë njerëz e shohin pasurinë dhe stabilitetin e Hong Kongut si fakt jashtë realitetit të tyre”.

Joe Studwell, autor i librit How Asia Works, Si Funksionon Azia, thotë se protestuesit mund të arrijnë sukses më të madh nëse përqëndrohen tek problemet e brendshme ekonomike të Hong Kong. Ai thotë se banorët e Hong Kongut shpesh paguajnë më shumë për shërbime dhe mallra me cilësi të dobët.

“Nëse shikon gjendjen nga larg, sheh se sektori bankar nuk është shumë konkurrent, supermarketet janë monopolizuar nga dy pronarë, po ashtu edhe dyqanet e ushqimeve. Edhe fuqia ekonomike është e përqëndruar në dy kompani që kontrollojnë çdo aspekt, që nga prodhimi e deri tek shpërndarja. Autobusët kontrollohen nga një kartel që përdor mjete të vjetëruara me naftë. Kjo gjendje vërehet në të gjithë ekonominë”.

Zoti Studwell thotë se nëse protestuesit përqëndrohen tek problemet ekonomike të Hong Kongut, mund të gjejnë një gjuhë të përbashkët me zyrtarët në Kinë.

“Kjo është e rëndësishme jo vetëm për Hong Kongun. Edhe vetë Xi Jinping dhe udhëheqja kineze e shohin si të rëndësishme pasi Xi Jinping sapo u zgjodh president filloi një fushatë të fortë kundër korrupsionit, por edhe kundër monopoleve, duke vënë në shenjestër firma vendase dhe ndërkombëtare”.

Suksesi ekonomik i Kinës ka pasur rëndësi prej kohësh për të ruajtur kontrollin e Partisë Komuniste në vend. Hong Kongu shërbente si hallkë lidhëse mes kompanive të mëdha dhe Kinës që përfitonin nga lidhjet e ngushta me Pekinin.

Profesori i ekonomisë në Institutin e Pekinit për Teknologjinë Hu Xingdou thotë se nëse marrëdhëniet vazhdojnë të keqësohen, Hong Kongut do t’i dalin probleme.

Profesor Hu thotë se Hong Kongu mund të humbasë mundësi ekonomike në të ardhmen, duke mos arritur të fitojë tendera për projekte në Kinë.

XS
SM
MD
LG