Lidhje

Aeroporti i Nju Jorkut, kontrolle për Ebolën


Ndërkohë që vazhdon të rritet numri i viktimave nga epidemia, OKB-ja bën thirrje për kontribut të menjëhershëm nga vendet anëtare

Aeroporti Ndërkombëtar Kennedy në Nju Jork u bë sot i pari në Shtetet e Bashkuara, që fillon një program për të kontrolluar udhëtarët për infeksion të mundshëm me Ebola. Udhëtarët që do t'i nënshtrohen kontrollit janë ata që vijnë nga Guinea, Liberia dhe Sierra Leone. Gjatë javës që vje,n kontrolle të tilla do të fillojnë edhe në aeroportet e Njuarkut në Nju Xhersi, Uashington, Çikago të Ilinoit dhe Atlanta të Xhorxhas.

Ndërkohë, Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se numri i vdekjeve nga epidemia e Ebolës ka arritur mbi 4 mijë viktima dhe është shtrirë tashmë në të paktën shtatë vende.

Gjatë takimit të OKB-së për Ebolën, një zyrtar u shpreh se duhet të krijohen më shumë fonde për t’iu përgjigjur kërkesave për të luftuar epideminë, e cila është shndërruar tashmë në një krizë globale.

“U bëj thirrje tani të gjitha vendeve të veprojnë me bujari dhe me shpejtësi. Shpejtësia është thelbësore. Një kontribut i dhënë brenda pak ditëve është më i rëndësishëm sesa një kontribut më i madh i dhënë pas disa javësh”, u shpreh Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Jan Eliasson.

Ligjvënësit amerikanë kanë rënë dakord të përdorin 750 milionë dollarë nga fondet ushtarake për të luftuar Ebolën në Afrikën Perëndimore.

Njësi ushtarake amerikane ndodhen tashmë në Liberi duke përgatitur ngritjen e qendrave mjekësore në të ashquajturën “zonë e nxehtë”.

OBSH-ja thotë se shumica e vdekjeve nga Ebola kanë ndodhur në Liberi, Sierra Leone dhe Guine.

“E rëndësishme tani është që të veprohet kolektivisht dhe në solidaritet me popujt e Guinesë, Liberisë dhe Sierra Leones. Kemi përgjegjësinë t’i mbështesim. Ne do të bëjmë ç’të jetë e mundur për të sjellë asistencë sa më shpejt”, thotë Anthony Banbury, shef i misionit të OKB-së për përgjigjen kundër Ebolës (UNMEER).

XS
SM
MD
LG