Lidhje

Takim tjetër Poroshenko-Putin


Presidenti i Ukrainës Petro Poroshenko thotë se do të takohet me homologun e tij rus Vladimir Putin këtë javë në Itali për bisedime për një plan paqe për lindjen e Ukrainës dhe për mosmarrëveshjen lidhur me gazin natyror.

Zoti Poroshenko foli të shtunën duke thënë se bisedimet do të zhvillohen në sfondin e samitit Azi-Evropë në Milano dhe ka të ngjarë të përfshijnë udhëheqës nga Gjermania, Franca, Italia dhe Britania.

Udhëheqësi ukrainas paralajmëroi për negociata të vështira, ndërsa u tha gazetarëve “se palët janë shumë pranë” zgjidhjes së mosmarrëveshjes për gazin me Moskën.

Moska ndërpreu furnizimet ndaj Ukrainës së varur nga energjia ruse në qershor, për shkak të asaj që Moska pretendon se janë mbi 5 miliardë dollarë fatura të papaguara energjie. Ndërprerja ngriti spekullimet për mungesë të theksuar të energjisë në Kiev dhe më gjerë, ndërsa pritet të vij një dimër i ashpër euroazitik.

Ndërkohë, zëdhënësi ukrainas i mbrojtjes Andriy Lysenko tha se sulmet nga separatistët pro-rusë në lindje të Ukrainës duket të jenë larguar. Duke folur të shtunën në Kiev, ai tha se forcat ukrainase janë gati të tërheqin armatimet e rënda nga fronti ku rebelët dhe forcat qeveritare kanë luftuar për muaj me radhë.

Ndërkohë, udhëheqësi i rebelëve Oleksandr Zakharchenko u tha gazetarëve në Donetsk se separatistët mund të fillojnë një tërheqje të ngjashme të artilleries nga vija e frontit në pesë ditë.

XS
SM
MD
LG