Lidhje

Zgjedhjet e mesit të mandadit: faktori i frikës


Një anketë e kohëve të fundit pasqyron prirje nervozizmi mes votuesve amerikanë në prag të zgjedhjeve të 4 nëntorit për në Kongres, në nivel shteti dhe në nivel lokal. Sipas një ankete të organizatës Gallup, virusi i Ebolës dhe kërcënimi që paraqesin militantët e Shtetit Islamik në Irak dhe në Siri janë mes 10 çështjeve, të cilat amerikanët i shohin si më të rëndësishmet me të cilat përballet vendi. Disa kandidatë republikanë po shtrojnë pyetjen se sa të sigurtë janë amerikanët nën drejtimin e Partisë Demokrate të Presidentit Barack Obama dhe disa demokratë po fajësojnë republikanët për shkurtimin e fondeve për shëndetin publik, ndërsa shfaqen shqetësime për epideminë e Ebolës. Në vazhdim ju njohim me “faktorin e frikës” në zgjedhjet e nëntorit:


Nga jashtë vijnë lajme të frikshme për shumë amerikanë. Rastet e para të Ebolës në Shtetet e Bashkuara…dhe vrasja me prerje koke e tre amerikanëve dhe punonjësve të ndihmave dhe gazetarëve britanikë nga terroristët e grupit “Shteti Islamik”.


Rreziku që perceptohet për xhihadistët e Shtetit Islamik është një nga çështjet e fushatës, sipas Frank Newport të grupit Gallup të anketimeve.

"Ndërhyrja ushtarake aktuale kundër Shtetit Islamik është një faktor; kur i kujton për të amerikanët ata thonë, “Kjo mund të jetë e rëndësishme… dhe disa kandidatë për senatorë po përpiqen ta shfrytëzojnë, natyrisht, siç bëjnë zakonisht politikanët.”

Përkrahësit e republikanëve po i përdorin reklamat televizive për t’i lidhur kandidatët demokratë me Presidentin Obama dhe për t’i akuzuar ata për dobësi në çështjen e sigurisë kombëtare:

"Ndërsa radikalët islamikë kërcënojnë se do ta sulmojnë Amerikën dhe miliona kalojnë kufirin pa u vënë re, Presidenti Obama dhe Senatori Landrieu nuk kanë bërë asgjë për këtë çështje”.

Disa nga reklamat e grupeve që anojnë nga republikanët, kundër demokratëve, i shkrijnë çështjet e veçanta të terroristëve të Shtetit Islamik dhe imigracionin e paligjshëm në një, si çështje pa shpresë:

“Forcat e së keqes në mbarë botën duan çdo ditë t’u bëjnë keq amerikanëve. Si hyjnë ata në vendin tonë? Përmes oborrit të Arizonës. Megjithatë, Ann Kirkpatrick voton vazhdimisht si partia e saj, kundër mbrojtjes së Arizonës.”

Nga ana e tyre, disa përkrahës të demokratëve janë duke përdorur një reklamë për Ebolën në YouTube si përpjekje për të sulmuar kandidatët republikanë për shkurtimin e shpenzimeve qeveritare.

“Aktualisht Washingtoni mund t’i shkurtojë shpenzimet. Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve thotë se shpenzimet e saj janë shkurtuar me 585 millionë dollarë që nga viti 2010 …” Shkurtime, shkurtime, shkurtime….”

Të pyetur nëse janë të shqetësuar për Ebolën, disa turistë në kryeqytetin amerikan shprehen në mënyra të ndryshme, si psh Mary Huttar ngaVirginia dhe Frank Wyman nga Karolina e Jugut.

“Nuk shqetësohem se kjo do të jetë diçka madhore, sëmundja është e tmerrshme, por unë nuk kam frikë.”

“Jam i shqetësuar, por ende nuk kam frikë, mendoj se do ta gjejmë një zgjidhje.”

Megjithë fushatën e frikshme të reklamave, shumica e amerikanëve vazhdojnë të thonë se çështjet kryesore për ta në këto zgjedhje janë ekonomia, papunësia dhe pakënaqësia me qeverinë.

XS
SM
MD
LG