Lidhje

Viktimizimi i grave nga ISIS


Grupi Shteti Islamik, i njohur si ISIS, ka kapur qindra gra dhe vajza gjatë muajve të fundit. Ato pak që kanë arritur të shpëtojnë, tregojnë histori përdhunimesh, martesash me detyrim dhe skllavërie seksuale. Korrespondentja Ayesha Tanzeem njofton:

Kjo vajzë pesëmbëdhjetë vjeçare e grupit etnik jazidi u mor nga Mali Sinjar në Irakun verior nga ekstremistët e ISIS. Atë e detyruan të martohej me luftëtarë të ndryshëm. Më në fund ajo u arratis pasi drogoi rrëmbyesit me substanca që gjeti në banesë. Tani ajo rrëfen tmerrin që kaloi:

“Më shitën në Siri. Qëndrova pesë ditë me dy motra. Pastaj një nga motrat e shitën dhe e dërguan në Mosul ndërsa unë mbeta në Siri”.

Ajo është një ndër qindra gra e vjaza, pjesa më e madhe të përkatësisë jazide, që janë kapur e më pas torturuar, përdhunuar dhe shitur si skllave, apo janë martuar me forcë me luftëtarë të ISIS, sipas OKB-së dhe grupeve për të drejtat e njeriut.

Pjesa më e madhe e tyre ende mbahen nga ISIS.

Disa kanë arritur t’i telefonojnë familjes, me ose pa leje të rrëmbyesve. Në zërat e tyre dëgjohet dëshpërmi, thotë Baher Ali i fondacionit ndërkombëtar AMAR:

“Ato u thonë familjeve: lutjuni Amerikës dhe komunitetit ndërkombëtar ta bombardojnë këtë vend ku ndodhemi. Duam të vdesim, pasi po jetojmë si të vdekura”.

Kohët e fundit organizata Human Rights Watch publikoi një raport mbi martesat me detyrim dhe konvertimin fetar të jazidve nga ISIS.

Bill Frelick i kësaj organizate thotë se Shteti Islamik reagoi ndaj raportit me krenari të hapur:

“ISIS u përgjigj në të njëjtën ditë me fjalët “Çdo gjë që thotë Human Rights Watch është e vërtetë. Ne jemi krenarë për atë që kemi bërë”. Ato i shohin këto akte si shpërblimet e luftës dhe se nuk i konsiderojnë veprime të tilla si abuzime”.

Universiteti i Virxhinias zhvilloi kohët e fundit një konferencë mbi dhunën që ka ushtruar ISIS ndaj grave. Aktivistë nga terreni dëshmuan për abuzime tronditëse.

Ata theksuan se burimet në terren në mbështetje të viktimave janë të pamjaftueshme dhe se donatorët ndërkombëtarë nuk po mobilizohen me ndihma.

XS
SM
MD
LG