Lidhje

NYT zotohet të mos ulë tonin kritik ndaj Kinës


Gazeta The New York Times u zotua të mos e ndryshojë mbulimin e ngjarjeve nga Kina, pasi presidenti Xi Jinping duket të ketë konfirmuar se Pekini është duke i ndëshkuar mediat e huaja për publikimin e materialeve kritike.

Këto komente President Xi i bëri dje në konferencën e përbashkët për shtyp me Presidentin Obama në Pekin. Kur një gazetar i Times-it e pyeti presidentin kinez përse gazetarët e huaj kishin vështirësi në marrjen e vizës për në Kinë, zoti Xi la të kuptohet se për këtë duhen fajësuar vetë gazetarët, duke shtuar se “mediat duhet t’u binden ligjeve dhe rregullave të Kinës”.

Kina vazhdimisht i ka refuzuar vizën gazetarëve të New York Times-it dhe ka bllokuar faqet e internetit të gazetës në anglisht dhe kinezçe. Këto veprime u interpretuan gjerësisht si hakmarrje për disa raportime, të cilat thuhet se kanë ekspozuar pasurimin e udhëheqësve kinezë dhe familjeve të tyre.

Në një deklaratë të gazetës Times thuhet se mesazhi i zotit Xi ishte i qartë: “Ai, thuhet në deklaratë, po i paralajmëron organizatat e mediave se problemet e tyre janë shkaktuar prej vetë atyre; se ata po ndëshkohen për mbulimin e lajmeve të debatueshme dhe jofavorizuese”.

Bordi i editorëve të gazetës tha se nuk ka për ta ndryshuar mbulimin e ngjarjeve për t’iu përshtatur kërkesave të ndonjë qeverie, qoftë ajo kineze, amerikane, apo e ndonjë vendi tjetër, duke këmbëngulur se asnjë organizatë mediash e besueshme nuk do të bënte këtë.

XS
SM
MD
LG