Lidhje

Në prag të vendimit në Furgeson


Autoritetet në Ferguson të Mizurit thanë se kanë rënë dakord me udhëheqësit e protestave për të ruajtur paqen kur juria të arrijë një vendim nëse do ta akuzojë policin e bardhë që qëlloi me vdekje adoleshentin afrikano-amerikan. Ferguson, një lagje në St. Louis, ka qënë skenë e dhunës së vazhdueshme që kur incidenti i 9 gushtit intesifikoi antagonizmin afatgjatë mes policisë dhe komunitetit afrikano-amerikan.

Zemërimi që vazhdon të ziejë në Ferguson pas vdekjes së adoleshentit zezak Michael Brown po kërcënon të shndërrohet në dhunë përsëri në qoftë se juria vendos të mos shpallë fajtor policin e bardhë që e qëlloi atë.

Pas dy netësh dhune, autoritetet në zonën e Saint Luis njoftuan të premten se policia dhe aktivistët kanë rënë dakort mbi sjelljen që duhet respektuar nga të dyja palët pas vendimit.

"Ne duhet të respektojmë protestuesit. Ne duhet të respektojmë banorët e këtyre komuniteteve. Duhet të respektojmë të drejtën e protestuesve për të protestuar, por duhet gjithashtu të kuptojmë se policia ka nevojë mbrojë vetveten."

I ati i Michael Brown ka bërë gjithashtu thirrje për paqe.

"Ju falenderoj që ngritët zërin për t’i dhënë fund paragjykimeve racore dhe kërcënimeve të policisë por të lëndosh dhe shkatërrosh pronat e të tjerëve nuk është përgjigja. Çfarëdo të vendosë juria, unë nuk dua që vdekja e djalit tim të shkojë kot."

Organizata fetare "Disciples for Justice" thotë se po dislokon rreth 50 anëtarë për të monitoruar si policinë ashtu edhe protestuesit në Ferguson.

"Ne kemi individë të ndryshëm që vijnë për trajnim për të qënë në gjendje sit ë përgjigjen në se në fakt ndalohen nga policia. Ka patur trajnime të llojeve të ndryshme."

Autoritetet në Mizuri nuk po ja lënë situatën rastësisë. Guvernatori Jay Nixon ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe ka thirrur Gardën Kombëtare të mbështesë policinë.

Prokurori i Përgjithshëm amerikan Eric Holder tha të premten se Departamenti i Drejtësisë dha rregulla të reja për autoritetet e rendit sesi të ruajnë qetësinë publike ndërsa mbrojnë të drejtat e protestuesve.

"Sigurisht që e kuptoj se përparimi nuk është i lehtë dhe tensionet që kanë vluar për një kohë të gjatë nuk do të shuhen brenda natës. Këto përpjekje janë në zemër të asaj që jemi dhe që duam të jemi si vend dhe si njerëz. Është e qartë se kemi ende një punë të madhe për të bërë."

Juria duhet të ketë mbyllur diskutimet por nuk është e qartë se kur do të njoftohet vendimi. Ndërkohë bizneset në Ferguson kanë siguruar dritaret kundër shkatërrimeve të mundshme dhe shkollat po planifikojnë të mbyllen.

XS
SM
MD
LG