Lidhje

Presidenti Obama mbron vendimin për imigracionin


Presidenti Barak Obama përsëri mbrojti urdhërin e tij ekzekutiv për të mos lejuar deportimin e miliona imigrantëve pa dokumente. Ndërkohë, ligjvënësit e Kongresit e kanë dënuar ashpër këtë hap, por ende nuk thonë se çfarë konkretisht propozojnë ata për këtë çështje.

Disa ditë pas urdhërit ekzekutiv për emigrantët, i cili mund të ketë ndikim të rëndësishëm mbi mandatin e tij, presidenti Obama vazhdon ta mbrojë atë.

((Presidenti Barack Obama))
"Ne do të ndërmarrim hapat e duhur për të trajtuar çështjen e miliona emigrantëve pa dokumentë që jetojnë këtu".


Presidenti Obama gjatë një interviste u tregua i vendosur për nevojën e urdhërit ekzekutiv të javës së kaluar, duke marrë parasysh mosveprimin e Kongresit për reformën e imigracionit.

"Të gjithë e dinë, duke përfshirë edhe republikanët, se ne nuk do të dëbojmë 11 milionë njerëz".

Ligjvënës republikanë si senatori Ted Cruz janë të bashkuar në kundërshtimin e tyre ndaj vendimit të presidentit Obama për të anashkaluar Kongresin.

"Ai ka sfiduar kushtetutën. Ai është duke sfiduar ligjin federal, dhe popullin amerikan".

Zoti Cruz thotë se senati nuk duhet të konfirmoj asnjë kandidat të presidentit Obama kur republikanët të marrin kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit në janar.

Por republikanët ende nuk kanë dalë me një kurs të përbashkët veprimi, dhe madje të shtunën ata nuk përmendën çështjen e imigracionit në reagimin e tyre ndaj fjalimit të përjavshëm të presidentit Obama, duke u përqendruar në çështjet ekonomike.

"Republikanë, ne jemi partia e vendeve të punës".

Disa republikanë e kanë përjashtuar përdorimin e një arme të fuqishme të Kongresit, mbylljen e qeverisë federale në shenjë proteste.

"Kjo thjesht nuk do të ndodhë, nuk duhet të ndodhë", thotë senatori republikan John Cornyn.


Ndërkohë, Presidenti Obama thotë se në qoftë se ligjvënësit e kundërshtojnë urdhërin e tij ekzekutiv mbi imigracionin, ata kanë një zgjidhje të thjeshtë.

"Miratoni një ligj. Në fund të fundit, është përgjegjësia e Kongresit për t’u marrë me këtë çështje. Ka disa gjëra që unë nuk mund t’i bëj i vetëm".


Ndërsa presidenti përballet me një reagim të ashpër republikan, ai po kritikohet gjithashtu nga disa imigrantë pa dokumente, të cilët nuk përfitojnë nga urdhëri i tij ekzekutiv dhe përballen me deportim.

Por ai mori mbështetje nga jashtë. Meksikanët përbëjnë numrin më të madh të emigrantëve pa dokumente në Shtetet e Bashkuara, dhe Presidenti i Meksikës Enrike Penja Nieto e përshëndeti hapin e zotit Obama.

"Ata që do të përfitojnë janë emigrantë me origjinë meksikane të cilët kanë jetuar në Shtetet e Bashkuara për vite me rradhë. Mendoj se ky është një akt i merituar i drejtësisë që vlerëson kontributet e mëdha të miliona meksikanëve në zhvillimin e vendit tonë fqinj".

Edhe pse miliona emigrantë pa dokumente do të mund të përfitojnë nga urdhri ekzekutiv, mbetet të shihet se sa prej tyre do ta shfrytëzojnë këtë mundësi dhe do të pranojnë kushtet e përcaktuara për një pezullim të përkohshëm të deportimeve.

XS
SM
MD
LG