Lidhje

Sekretari Hagel paraqet dorëheqjen


Sekretari amerikan i Mbrojtjes Chuck Hagel po largohet nga posti, pas rreth dy vjetësh në krye të Pentagonit. Presidenti Obama tha sot se zoti Hagel do të qëndrojë në post deri sa të emërohet një sekretar i ri i mbrojtjes.

Presidenti Obama e shpalli largimin e sekretarit Hagel me një ceremoni të shkurtër në Shtëpinë e Bardhë ku merrte pjesë edhe nënpresidenti Joe Biden.

Zoti Hagel është zyrtari i parë i lartë i administratës që largohet nga kabineti pas humbjeve të thella që demokratët e Presidentit Obama pësuan në zgjedhjet e 4 nëntorit.

Dorëheqja vjen gjithashtu pas një numër krizash të politikës së jashtme që kanë goditur ekipin e sigurisë kombëtare të Presidentit, duke përfshirë rritjen e aktivitetit të grupit Shteti Islamik në Irak dhe Siri.

Vetë Sekretari Hagel tha se ishte koha e përshtatshme që ai të dorëhiqej.

Ndërsa Presidenti Obama përpiqet të konsolidojë vendimmarrjen për politikën e jashtme brenda Shtëpisë së Bardhë, disa këshilltarë e kanë kritikuar privatisht zotin Hagel se nuk ka qenë sa duhet aktiv dhe i angazhuar në takimet e Kabinetit dhe diskutime të tjera për sigurinë kombëtare.

68-vjeçari Hagel e kërkoi dorëheqjen përmes një letre që i dërgoi sot presidentit Obama.

Ashtu sikurse Prokurori i Përgjithshëm Eric Holder, i cili e dha dorëheqjen në shtator, zoti Hagel do të vazhdojë të qëndrojë në post deri në miratimin e pasuesit të tij.

XS
SM
MD
LG