Lidhje

Arrestime në Agjencinë e Kosovës për Akreditim


Policia tha se dy veta janë arrestuar nën dyshimet se kanë marrë ryshfet për akreditimin e institucioneve private të arsimit të lartë

Policia e Kosovës arresti sot dy persona në kuadër të hetimeve që ka filluar prokuroria e posaçme e Kosovës në Agjencinë e Kosovës për Akreditim në Prishtinë. Kjo agjenci është institucion publik për vlerësimin e cilësisë në institucionet publike dhe private të arsimit të lartë dhe në bazë të vlerësimeve që jep, varet edhe funksionimi i tyre.

Sipas, prokurorisë hetime po zhvillohen ndaj dy zyrtarëve të kësaj agjencie dhe një ish zyrtari të Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara.

Për të pandehurit ekziston dyshimi i arsyeshëm se kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, me qëllim që të përfitojnë dobi në mënyrë të drejtpërdrejt dhe të tërthortë, duke kërkuar përfitime në të holla nga disa pronarë të universiteteve private”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Sipas saj dy nga zyrtarët e agjencisë së akreditimit dyshohen për veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe së bashku me të pandehurin e tretë për veprën penale marrja e ryshfetit.

Nuk janë dhënë më shumë hollësi rreth dyshimeve dhe cilat mund të jenë institucionet e arsimit të lartë që mund t’u jenë nënshtruar këtyre veprimeve.

XS
SM
MD
LG