Lidhje

Marrëveshja PDK-LDK për ndarjen e pushtetit


Kryetari i Partisë Demokratike, Hashim Thaçi dhe ai i Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa, pritet që javën e ardhshme të nënshkruajnë marrëveshjen e plotë për ndarjen e pushtetit dhe ndërtimin e institucioneve të reja të Kosovës.

Kryetari i Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa tha se është bërë një punë e rëndësishme në përcaktimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit, në mënyrë që qeverisja të jetë e qëndrueshme dhe e frytshme. Sipas tij, marrëveshja pritet të nënshkruhet në fillim të javës së ardhshme dhe me të do të bëhet edhe ndarja e përgjegjësive, përfshirë edhe fushat e caktuara të qeverisjes. Pas kësaj do të pasojnë këshillimet e brendshme për caktimin e kabinetit qeveritar.

Edhe kryetari i Partisë Demokratike, Hashim Thaçi, tha se është duke u përmbyllur marrëveshja e koalicionit që do të zyrtarizohet në ditët e ardhshme. Të enjten në mbledhjen e qeverisë, zoti Thaçi, kryeministër në detyrë, tha se këto dy parti do t’i japin vendit institucione të qëndrueshme, demokratike dhe me njerëz të besueshëm.

Asnjëri prej udhëheqësve politikë nuk ka dhënë më shumë hollësi rreth ndarjes së pushtetit në bazë të marrëveshjes së 19 nëntorit për bashkëqeverisje. Ato synojnë përmbyllja e procesit të ndërtimeve të institucioneve të ndodhë në një seancë të parlamentit me datën tetë dhjetor, kur mbushen plot gjashtë muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Në Lidhjen Demokratike pohojnë se ajo do të udhëheqë qeverinë në bazë të marrëveshjes me Partinë Demokratike, e cila u arrit pak kohë pasi që posti i kryeministrit u bë shkas edhe i ndarjes së saj nga koalicioni pas zgjedhor me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën për Kosovë dhe lëvizjen Vetëvendosje.

Ato e kritikuan ashpër marrëveshjen për koalicionin e ri dhe veçanërisht Lidhjes Demokratike për prishjen e bllokut politik me to.

Sido qoftë, marrëveshja e 19 nëntori, do t’i jap fund bllokadës së gjatë politike që e vuri Kosovën në krizën më të thellë institucionale që nga shpallja e pavarësisë së saj në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG