Lidhje

PD, votohet kryesia e re


Arben Ristani zgjidhet Sekretar i Përgjithshëm. Fiton garën me Eduard Selamin dhe Enkelejd Alibeajn. Konfirmohen dy nënkryetarët Edi Paloka dhe Edmond Spaho. Votime dhe për 6 Sekretarë dhe 22 drejtuesë departamentesh

Në Shqipëri Partia demokratike zhvilloi sot procesin e votimeve për kryesinë e re të saj, e cila vec dy nënkryetarëve do të ketë dhe një Sekretar të Përgjithshëm, 6 sekretarë të tjerë dhe 22 drejtuesë departamentesh

Këshilli kombëtar i demokratëve u mblodh sot pas më shumë se dy muajsh që nga zgjedhja e anëtarëve të tij. Me propozim të kryetarit Lulzim Basha, Këshilli rikonfirmoi me votim të hapur, dy nënkryetarët, Edi Palokën, njëkohësisht kryetar i grupit parlamentar dhe Edmond Spahon, një nga nënkryetarët e parlamentit.

Një garë e ngushtë u zhvillua për Sekretarin e Përgjithshëm ku pati tre kandidatë, Arben Ristani, Enkelejd Alibeaj dhe Eduard Selami. Në përfundim të votimit asnjë prej tyre nuk mori shumicën e votave të 265 anëtarëve të Këshillit, megjithatë, më tej, nuk pati balotazh dhe fitues u shpall zoti Ristani i cili kishte grumbulluar me shumë vota se dy kandidatët e tjerë, 101 të tilla. Zoti Alibeaj mori 85 vota, ndërsa Selami 76 vota.

Për 22 drejtuesit e departamenteve, dhe 6 sekretarët, u votua mes dy kandidatëve për secilin post. Pjesa dërrmuese e kandidaturave, janë emra përgjithësisht të rinj, të cilët nuk kanë patur funksione të larta shtetërore apo politike gjatë periudhës që demokratët ishin në pushtet.

XS
SM
MD
LG